Pavarësisht kërkesës së përsëritur të opozitës për të dëgjuar shpjegimet e ministrit të Drejtësisë, Toni Gogu, lidhur me çështjen e Erion Veliajt, mbledhja e Komisionit të Ligjeve u zhvillua pa praninë e përfaqësuesve të pakicës parlamentare.
Gogu u paraqit në komision për të prezantuar buxhetin e institucioneve të drejtësisë, por mungesa e deputetëve të PD-së dhe partive të tjera opozitare bëri që çështja e kryebashkiakut të Tiranës të mos merrte vëmendjen që ishte paralajmëruar.
As nga radhët e mazhorancës nuk pati pyetje për pretendimet e Veliajt, i cili ka folur për një transferim me prapavijë politike nga burgu, si dhe për kërcënime gjatë vizitës së ministrit të Drejtësisë në paraburgimin e Fierit, të premten në orët e vona të mbrëmjes.
Edhe pse ministri ishte përballë ligjvënësve, pretendimet e kryebashkiakut mbetën pa u diskutuar në komision. Në fjalën e tij hapëse, Toni Gogu zgjodhi të theksojë pavarësinë e institucioneve të drejtësisë, duke dhënë edhe një mesazh që vjen në një kohë kur çështja Veliaj ka nxitur debat politik.
“Institucionet e drejtësisë i ushtrojnë shërbimet në mënyrë të pavarur, qeveria paguan vetëm faturën financiare”, deklaroi Gogu gjatë prezantimit të buxhetit.