Opozita e kërkoi me ngulm për të dhënë sqarime mbi çështjen Veliaj, por kur Ministri i Drejtësisë Toni Gogu u shfaq në Komisionin e Ligjeve për buxhetin, asnjë ligjvënës i PD apo partive të tjera të pakicës nuk ishte aty.
As socialistët, nuk e ngritën për asnjë moment shqetësimet e kryebashkiakut Erion Veliaj për transferim politik nga burgu apo kërcënim gjatës vizitës së ministrit të Drejtësisë në paraburgimin e Fierit orët e vona të së premtes.
Edhe pse e kishin përballë, askush prej tyre nuk kërkoi një përgjigje mbi pretendimet e Veliajt për presion politik.
Vetë Toni Gogu e çeli prezantimin e buxhetit për drejtësinë me këtë fjali, që u duk edhe si një mesazh për debatin e ditëve të fundit:
"Institucionet e drejtësisë i ushtrojnë shërbimet në mënyrë të pavarur, qeveria paguan vetëm faturën financiare", tha Gogu.
Me më shumë para se një vit më parë në arkë, 5 janë prioritetet e ministrisë së drejtësisë për 2027, tha ministri.
" Ky buxhet merr pesë drejtime. Fillojmë me aksesin, ku qytetari nuk mbërrin dot tek shteti, dhe do të doja që kolegëve që janë të pranishëm, thjesht të imagjinojnë një nënë në Bulqizë, në një fshat të Bulqizës, që ka nevojë për mbrojtje ligjore, që ndoshta s'ka para për avokatin, ndoshta nuk di ku të paraqitet, ndoshta dokumentet që i kërkohen mund të jenë një pengesë më vete, ndërkohë që e drejta e saj ekziston, por pyetja është: çfarë vlere ka nëse ajo nuk arrin të ushtrojë të drejtën e saj? Dhe këtë dhjetor parashikojmë hapjen e pesë zyrave të ndihmës juridike falas në Kamëz, Krujë, Librazhd, Bulqizë dhe Rrëshen. Synimi ynë është thjeshtimi i procedurave, duke përdorur informacionin që administrata publike tashmë disponon, në vend që të kërkojë përsëri dokumente nga qytetari. Kriteret ligjore të përfitimit janë ato që janë, nuk shtojmë të tjera, ndërkohë që kategoritë do të zgjerohen. Procedura nuk duhet të bëhet një pengesë e dytë për njeriun që kërkon mbrojtjen e së drejtës së tij. Kjo ka rëndësi të veçantë për njerëzit me të ardhura të pakta, për komunitetet e margjinalizuara dhe për ata që jetojnë larg qendrave të shërbimeve. Nuk po u bëjmë asnjë favor, të nderuar kolegë, po punojmë që një e drejtë që u takon me ligj, të bëhet realisht e ushtrueshme", tha Gogu.
Ai shtoi se pika tjetër fokusohet tek mbrojta. Gogu tha se vitin e ardhshëm do të vihet në funksion Instituti për Edukimin dhe Rehabilitimin e të Miturve në Kavajë
Pjesa e dytë është mbrojtja. Dhe tek mbrojtja, në vitin 2027 synojmë të vëmë në funksion Institutin për Edukimin dhe Rehabilitimin e të Miturve në Kavajë. Kryetari e njeh shumë mirë këtë projekt sepse ka punuar ngushtësisht me të, siç edhe paraardhësit e tjerë. Për edukimin dhe rehabilitimin e të miturve, për këtë janë parashikuar rreth 536 milionë lekë për përfundimin e investimeve dhe pajisjen e qendrës, si dhe rreth 300 milionë lekë për personelin dhe funksionimin. Ju e dini shumë mirë që ligji ynë e trajton privimin nga liria të fëmijës si masë të fundit, dhe me të drejtë. Sepse një fëmijë që ka hyrë në konflikt me ligjin nuk mund të përkufizohet përgjithmonë nga ai gabim që ka bërë. Sepse një dosje penale përshkruan një ngjarje, por nuk mund të përshkruajë të ardhmen e një fëmije.
Prandaj, instituti në Kavajë duhet të jetë më shumë sesa një ndërtesë, duhet të jetë vendi ku edukimi, rehabilitimi, mbështetja psikosociale dhe puna me familjen krijojnë mundësinë reale për një rrugë tjetër. E pranoj që qendra ka pritur gjatë, por nuk dua ta quaj një sukses kur objekti ende nuk u shërben fëmijëve. Pra, objekti po përfundon, por duhet të bëjmë gati që suksesin ta shikojmë ditën kur qendra të funksionojë dhe programet e saj të japin rezultate të matshme. Ky është angazhimi ynë për vitin 2027, dhe kjo ndodh brenda vitit 2027, madje gjashtëmujorit të parë", tha Gogu.
Gogu theksoi se për mbikëqyrjen elektronike janë parashikuar 80 milionë lekë në vitin 2027, brenda një programi trevjeçar prej 320 milionë lekësh.
Për sa i përket shtyllës së tretë, riintegrimi. Siguria nuk mbaron te porta e burgut. Shërbimi i provës merr 66% më shumë fonde, nga 255 në 424 milionë lekë. Kjo është një zgjedhje shumë e rëndësishme buxhetore, sepse siguria publike nuk matet vetëm me aftësinë e shtetit për të ekzekutuar një vendim, matet edhe me aftësinë për të ulur rrezikun që vepra penale të përsëritet. Riintegrimi nuk është falje e përgjegjësisë penale, është pjesë e mënyrës se si ekzekutohet përgjegjësia penale. Shërbimi i provës do të forcojë menaxhimin individual të rasteve, mbështetjen psikologjike, formimin profesional dhe lidhjen me mundësinë e punësimit, trajtimit.
Për mbikëqyrjen elektronike janë parashikuar 80 milionë lekë në vitin 2027, brenda një programi trevjeçar prej 320 milionë lekësh. Ky është një instrument që mbështet zbatimin e masave të vendosura nga gjykata sipas ligjit. Por ka edhe një moment tjetër që nuk duhet ta harrojmë: ditën kur njeriu del nga burgu. Nëse atë ditë nuk ka dokument identiteti, nuk ka mundësi transporti, nuk ka ku të strehohet dhe nuk di ku të kërkojë ndihmë, atëherë kthimi në shoqëri fillon me pengesa të mëdha. Për këtë po zhvillojmë paketën e daljes, me mbështetje për dokumentacionin, kujdesin shëndetësor dhe nevojat e para të riintegrimit, sepse porta e burgut nuk duhet të jetë porta për t'u kthyer përsëri në krim. Siguria e komunitetit fillon dhe me mënyrën se si përgatitet kthimi i njeriut në shoqëri.
Shtylla e katërt, realizimi që është një detyrim që pret prej vitesh. Jam duke folur për kompensimin e ish-pronarëve. Për 2366 familje, drejtësia nuk është diskutim teorik. Është kompensim që e presin prej vitesh, në një proces që ka nisur që në vitin 2008 dhe ka përfshirë rreth 8000 familje. Synimi ynë është që gjatë vitit 2027 të përmbyllen pagesat e mbetura për këto familje sipas kuadrit ligjor dhe financimit të miratuar shtoi ai.
Në komisionin e ligjeve, KLGJ u shpreh më herët e pakënaqur me buxhetin, duke kërkuar më shumë para, veçanërisht për sigurinë në gjykata, një kërkesë kjo e përsëritur, sidomos pas vrasjes brenda sallës së gjyqit të Gjyqtarit Astrit Kalaja.









Komente
Komento