Kenan Yildiz po sheh dritë në fund të tunelit pas një periudhe të gjatë jashtë fushave për shkak të dëmtimit. Talenti turk pritet të nisë punën në terrenin e blertë gjatë javëve të ardhshme, me synimin për të rikuperuar formën fizike.
Sulmuesi i Juventusit është jashtë aktivitetit që nga fundi i muajit gusht, kur pësoi një frakturë në kockën e pestë metatarsale të këmbës së majtë. Që prej asaj kohe, futbollisti është detyruar t’i ndjekë ndeshjet e skuadrës nga tribuna.
Megjithatë, gjendja e tij po përmirësohet. Dhimbjet në këmbën e majtë janë reduktuar ndjeshëm, çka i lejon stafit mjekësor të planifikojë rikthimin gradual në stërvitje.
Në kampin bardhezi nuk kanë ndërmend të nxitojnë procesin e rikuperimit, për të shmangur çdo rrezik për një dëmtim të përsëritur. Gjatë muajit të ardhshëm, Yildiz do të punojë për të rifituar formën optimale, ndërsa në kalendar ka një datë të veçantë: 14 dhjetorin, kur Juventusi përballet me Monzën.
Kjo ndeshje mund të jetë mundësia për të parë sërish turkun në fushë. Rikthimi i tij do të ishte një përforcim i rëndësishëm për trajnerin Luciano Spalletti, pasi fantazia, driblimet dhe paparashikueshmëria e Yildizit mund t’i japin më shumë alternativa repartit ofensiv të Juventusit.
