Komisionerja e Bashkimit Evropian për Zgjerim, Marta Kos, ka deklaruar se bllokadat institucionale në Kosovë kanë ndikuar negativisht në zbatimin e reformave që lidhen me integrimin evropian.
Gjatë vlerësimit të zhvillimeve në vendet e rajonit, Kos theksoi se, pavarësisht pengesave gjatë periudhës raportuese, Kosova së fundmi ka intensifikuar zbatimin e agjendës së reformave.
Ajo përshëndeti zgjedhjen e presidentes së re, duke shprehur shpresën se stabiliteti i ripërtërirë institucional do t’i mundësojë Kosovës të shënojë përparim në rrugën drejt Bashkimit Evropian.
“Bllokada institucionale ka ndikuar në zbatimin e reformave që lidhen me Bashkimin Evropian gjatë periudhës raportuese. Megjithatë, së fundmi Kosova ka intensifikuar zbatimin e agjendës së reformave. BE-ja e ka mirëpritur zgjedhjen e presidentes së re dhe shpresojmë që stabiliteti i ripërtërirë institucional do t’i mundësojë Kosovës të përparojë”, deklaroi Kos.
Ndërkaq, duke folur për Serbinë, komisionerja evropiane vlerësoi se vendi ka shënuar hapa prapa në disa prej fushave themelore, veçanërisht në të drejtat themelore, lirinë e shprehjes, lirinë akademike dhe administratën publike.
Megjithatë, ajo theksoi se Serbia mbetet ndër vendet kandidate me nivelin më të lartë të përafrimit të legjislacionit me atë të BE-së dhe se është e përgatitur mirë për tregun e vetëm dhe konkurrueshmërinë.
Kos u shpreh se qeveria e re serbe ka mundësinë të ndryshojë kursin, të forcojë institucionet demokratike dhe të drejtat themelore, si dhe të ndërmarrë hapat e nevojshëm për avancimin e procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
“Në Serbi kemi vërejtur hapa prapa në të gjitha fushat themelore. Qeveria e re do të ketë mundësinë ta ndryshojë këtë kurs. Serbia ka bërë hapa të mëtejshëm prapa në fushën e të drejtave themelore, veçanërisht sa i përket lirisë së shprehjes dhe lirisë akademike, si dhe në administratën publike. Serbia është ndër vendet kandidate me nivelin më të lartë të përafrimit me legjislacionin e BE-së dhe është e përgatitur mirë për tregun e vetëm dhe konkurrueshmërinë. Tani Serbia ka mundësinë për një fillim të ri. Qeveria e re serbe ka mundësinë ta kthejë një faqe të re, të forcojë institucionet demokratike dhe të drejtat themelore, si dhe të ndërmarrë hapat e nevojshëm për të avancuar në rrugën e anëtarësimit të Serbisë në Bashkimin Evropian”, ka theksuar Kos.