Plot 17 vite pas vdekjes së mbretit të pop-it, vajza e Michael Jakson kërkon shumën marramendëse nga pasuria e babait

04/11/2026 12:54

Vajza e legjendës së muzikës pop, Michael Jackson, Paris Jackson, ka nisur një betejë ligjore për pasurinë marramendëse të të atit. Ajo kërkon që 600 milionë dollarë të transferohen në një fond familjar në përfitim të saj dhe dy vëllezërve, Prince dhe Bigi Jackson.

Plot 17 vite pas vdekjes së mbretit të pop-it, mosmarrëveshjet për administrimin e pasurisë së tij kanë përfunduar sërish në gjykatë. 28-vjeçarja pretendon se fondi familjar i krijuar për të dhe dy vëllezërit e saj nuk është financuar ende në mënyrën e duhur, pavarësisht të ardhurave prej miliarda dollarësh që pasuria e Michael Jackson ka gjeneruar ndër vite nga të drejtat muzikore dhe marrëveshjet e ndryshme tregtare.

Ajo pretendon gjithashtu se fëmijët nuk kanë marrë ende paratë që, sipas saj, babai i tyre kishte parashikuar t’u kalonin në trashëgimi. Në kërkesën e saj ligjore, Paris kërkon që shuma prej 600 milionë dollarësh të transferohet në një fond familjar, nga i cili do të përfitojnë ajo dhe dy vëllezërit e saj, Prince Jackson dhe Bigi Jackson.

Përfaqësuesit që administrojnë pasurinë e Michael Jackson kanë reaguar ndaj pretendimeve, duke i cilësuar akuzat se fëmijëve u janë mbajtur pagesat si një “trillim i plotë”, sipas raportimeve të “USA Today”. Ata këmbëngulin se më shumë se 200 milionë dollarë janë shpërndarë tashmë në përfitim të fëmijëve të këngëtarit.

Administruesit e pasurisë kanë argumentuar gjithashtu se çështja financiare është ndërlikuar nga një mosmarrëveshje e madhe me autoritetet tatimore amerikane. Bëhet fjalë për një detyrim të pretenduar prej rreth 700 milionë dollarësh, përfshirë taksa dhe penalitete.

Në një deklaratë të publikuar më 3 nëntor, përfaqësuesit e pasurisë thanë se kishin arritur të siguronin një vendim që e ulte ndjeshëm shumën e pretenduar, por çështja ende nuk është zgjidhur përfundimisht dhe vlera mund të ndryshojë.

Çështja rikthehet në gjykatë më 4 dhjetor

Përplasja ligjore mes Paris Jackson dhe administratorëve të pasurisë së të atit pritet të shqyrtohet sërish në gjykatë. Sipas raportimit, gjyqtari pritet të marrë në shqyrtim kërkesën e Paris më 4 dhjetor.

Ndërkohë, pasuria e Michael Jackson vazhdon të gjenerojë të ardhura të konsiderueshme, shumë vite pas vdekjes së tij në vitin 2009, duke e mbajtur trashëgiminë e artistit në qendër të vëmendjes edhe për shkak të mosmarrëveshjeve mbi administrimin dhe shpërndarjen e saj.

Top Channel