Këshilli Bashkiak Elbasan miratoi ndryshimet në fondet e investimeve të buxhetit të vitit 2026 dhe periudhës afatmesme 2027–2028, duke i hapur rrugë një pakete të re investimesh në infrastrukturën rrugore, institucionet arsimore dhe përmirësimin e shërbimeve publike në qytet dhe njësitë administrative.
Gjatë prezantimit të kësaj pike në Këshillin Bashkiak, kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, u ndal te projektet kryesore që përfshihen në ndryshimet buxhetore, duke vënë theksin te zgjidhja e problematikave infrastrukturore dhe përmirësimi i kushteve për komunitetin.
Një nga investimet kryesore është projekti për Kryqëzimin e Cërrikut, për të cilin janë kryer studimet dhe konsultimet publike, duke marrë në konsideratë edhe ekspertizën e Policisë Rrugore dhe institucioneve të transportit rrugor, me qëllim gjetjen e zgjidhjes më të përshtatshme për qarkullimin. Kryetari Llatja e cilësoi këtë nyje një problematikë të hershme për qytetin, ndërsa theksoi se projekti do të ndihmojë në përmirësimin e trafikut dhe ndërlidhjen me gjashtë njësitë administrative. Paralelisht, do të nisë puna për sistemimin e segmentit nga rrethrrotullimi i Bradasheshit deri te Rrethrrotullimi i Luleve, ndërsa Bashkia po merr përsipër edhe ndërhyrjet në akset e tjera që kanë kaluar në administrimin e saj.
Në paketën e investimeve përfshihet edhe rikonstruksioni i rrugës në zonën e Teqes, në segmentin e Korridorit VIII, nga dalja e qytetit, me synim krijimin e një lidhjeje të re që do t’i shërbejë lagjes “5 Maji”, zonës së Teqes, Urës së Sektorit dhe pjesës së sipërme të qytetit. Një tjetër ndërhyrje është shtrimi i rrugëve në parcelat e varrezave të reja, investim që parashikohet të nisë gjatë këtij viti.
Pjesë e kësaj pakete janë gjithashtu sistemimi i rrugëve dhe rehabilitimi i shesheve në lagje të ndryshme të qytetit. Në fushën e arsimit parashikohet ndërtimi i një godine të re për kopshtin e lagjes “Skënderbej”, një kërkesë e evidentuar nga komuniteti pas përmirësimeve të kryera në infrastrukturën e zonës. Ndërkohë, ka nisur investimi për ndërtimin e çerdhes së re nr. 6 në lagjen “Balashe”, një shërbim i konsideruar i nevojshëm për banorët e kësaj zone.
Një tjetër projekt i prezantuar nga kryetari Llatja është ndërtimi i tregut të fruta-perimeve në Njësinë Administrative Tregan, në një pronë të Bashkisë Elbasan. Investimi synon krijimin e një hapësire me kushte dhe parametra të përshtatshëm për tregtimin e produkteve bujqësore, ku do të përfshihen edhe ambiente shërbimi, si tualete dhe hapësira të tjera në funksion të fermerëve dhe qytetarëve.
Këto ndryshime buxhetore përfshijnë një sërë ndërhyrjesh të orientuara drejt përmirësimit të infrastrukturës dhe shërbimeve, duke synuar t’u përgjigjen nevojave të qytetarëve në qytet dhe në njësitë administrative.
