Menaxheri i Usyk konfirmon: Po mendon një rikthim në kategorinë ‘cruiserweight’, të shkruajë sërish historinë

4 Nëntor 2026
12:04
Telesport
back button

Boksieri ukrainas Oleksandr Usyk mund ta ketë zhvilluar ndeshjen e tij të fundit në kategorinë e peshave të rënda, ku ishte kampion i padiskutueshëm. Lajmi për një rikthim në kategorinë “cruiserweight” (pesha deri 92kg), po merr gjithnjë e më shumë formë.

Pasi mposhti Rico Verhoeven për titullin WBC në Egjipt, më herët gjatë këtij viti, Usyk hoqi dorë nga titujt që zotëronte. Ai planifikon të rikthehet në boks, por mund ta bëjë këtë duke zbritur sërish në kategorinë “cruiserweight”, ku gjithashtu ishte kampion i padiskutueshëm.

“Usyk tashmë ka fituar gjithçka në kategorinë e peshave të rënda. Tani ai po mendon një rikthim në kategorinë ‘cruiserweight’, peshën e tij natyrale, për të shkruar sërish historinë. Ai i do sfidat, dhe kjo mund të jetë sfida e radhës që ai dëshiron të marrë përsipër “, deklaroi menaxheri Serhii Lapin.

Nëse ai dëshiron të shpallet sërish kampion i padiskutueshëm në kategorinë e dikurshme, Usyk duhet të synojë duelin me kampionin dominues David Benavidez, i cili më 5 dhjetor do të ndeshet me Michal Cieslak për brezat WBC, WBO dhe WBA në kategorinë “cruiserweight”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit