Manuel Neuer ka shprehur kënaqësinë e tij pas fitores 2-0 të Bayern Munich ndaj Atletico Madrid, në ndeshjen e vlefshme për raundin e katërt të fazës së ligës në Champions League.
Portieri gjerman vlerësoi paraqitjen e skuadrës bavareze, duke theksuar se ekipi arriti të kontrollonte takimin nga fillimi deri në fund, pavarësisht mungesave dhe vështirësive të fundit.
“E kontrolluam plotësisht ndeshjen nga minuta e parë deri në minutën e 93-të. Pavarësisht se çfarë provonte Atletico, ne kishim gjithmonë përgjigjen e duhur. Qëndruam të bashkuar, dhamë gjithçka dhe zhvilluam një paraqitje të jashtëzakonshme si skuadër”, deklaroi Neuer.
Gardiani i Bayern theksoi se kjo fitore ka një rëndësi të veçantë, pasi jo të gjithë besonin se bavarezët mund të merrnin një rezultat pozitiv në një transfertë kaq të vështirë.
“Jo të gjithë e prisnin këtë rezultat. Të vish në stadiumin e një skuadre kaq të fortë dhe të fitosh nuk është aspak e lehtë. Të tregosh këtë nivel dhe t’u përgjigjesh dyshimeve është fantastike”, shtoi ai.
Neuer foli edhe për talentin e ri Lennart Karl, autorin e golit të parë, duke vlerësuar rëndësinë e tij për ekipin dhe frymën kolektive të Bayern.
Ndërkohë, vetë Karl nuk e fshehu ambicien për të arritur finalen e Champions League, që do të zhvillohet në vitin 2027 në stadiumin “Metropolitano” të Madridit.
“Besojmë te aftësitë tona. Rruga është e vështirë, por kemi potencialin dhe do të bëjmë gjithçka për të arritur objektivin”, u shpreh talenti gjerman.
