Michael Mai, dikur mësues në një shkollë fillore, iu bashkua të martën listës së miliarderëve në Kinë. Sipas “Forbes”, ky ndryshim erdhi me daljen në Bursën e Shenzhenit të “Crown New Materials Technology”, kompanisë që ai drejton si kryetar dhe drejtor ekzekutiv dhe që furnizon gjigantët e teknologjisë me shirita ngjitës e produkte të tjera.
Të dhënat e Bursës së Shenzhenit, e dyta për nga madhësia në Kinën kontinentale, tregojnë se vlera e aksioneve shënoi një rritje deri në 787%. Nga çmimi prej 16.98 juanësh (2.55 dollarë) për aksion në ofertën fillestare, ato arritën në nivelin më të lartë prej 150.58 juanësh (22.57 dollarë).
Të lidhura
None found
Duke llogaritur zotërimin e tij në aksionet e kompanisë, “Forbes” e vlerëson pasurinë e Mai në rreth 2.5 miliardë dollarë. Ai është 62 vjeç, ka shtetësi australiane dhe statusin e rezidentit të përhershëm në Hong Kong. Sipas raportimeve, përpara se të hynte në biznes, punonte si mësues i shkollës fillore në Zhongshan, qytet në jug të Kinës. Aty ndodhet edhe selia e kompanisë, e themeluar në vitin 2000.
Dalja në bursë e ka futur mes miliarderëve edhe motrën e tij, Mai Huixia. 64-vjeçarja është zëvendëskryetare e kompanisë dhe, sipas përllogaritjeve të “Forbes”, zotëron aksione me një vlerë që e çon pasurinë e saj në 2 miliardë dollarë.
Aktiviteti prodhues i kompanisë shtrihet në katër fabrika në Kinë dhe një tjetër në Vietnam. Në faqen zyrtare të saj thuhet se ajo prodhon materiale ngjitëse për një gamë komponentësh, duke nisur nga tavanet e automjeteve e deri te gjysmëpërçuesit e telefonave inteligjentë. Mes markave të mëdha ndërkombëtare që përdorin produktet e saj janë Tesla dhe Apple.
Megjithatë, pas hovіt të parë, aksionet humbën terren. Të mërkurën në mëngjes, çmimi i tyre ishte rreth 77 juanë (12 dollarë) për aksion. Kërcimi i jashtëzakonshëm i vlerës gjatë ditës së mëparshme e kishte shtyrë kompaninë të dilte me një deklaratë, ku u kërkonte investitorëve të tregoheshin racionalë në investimet e tyre.
Ky debutim ndodh në një periudhë kur bursat kineze kanë shënuar rënie prej disa muajsh, të ndikuara nga konsumi më i dobët dhe frika se mund të shpërthejë flluska e inteligjencës artificiale. Indekset kryesore të vendit kanë humbur më shumë se 20% nga niveli maksimal i qershorit, duke kaluar kështu në territorin e tregut në rënie, të njohur si “bear market”.
Për t’iu përgjigjur kësaj gjendjeje, Pekini hodhi dy javë më parë 19 miliardë dollarë në fondet e tregtuara në bursë (ETF), sipas të dhënave të Bloomberg. Një ndërhyrje kaq e madhe e këtij lloji nuk ishte kryer që nga fillimi i vitit 2025, kur tarifat tregtare të presidentit amerikan Donald Trump tronditën tregjet në mbarë botën.








