Projektbuxheti 2027/ Kreu i KLGJ te “Ligjet”, Rusi: Na është dhënë 37% më pak buxhet, nuk është plotësuar as kërkesa për sigurinë. Manja: Të rishikohet paga e punonjësve

04/11/2026 11:25

Këshilli i Lartë Gjyqësor ka kërkuar një buxhet prej 10 miliardë e 750 milionë lekësh për vitin 2027, por në projektbuxhetin e miratuar janë parashikuar vetëm 6 miliardë e 750 milionë lekë.

Gjatë seancës dëgjimore në Komisionin për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike, kreu i KLGJ-së, Ilir Rusi, ngriti shqetësimin për fondet e pamjaftueshme, duke theksuar se buxheti i vitit të ardhshëm është 1.1% më i ulët se ai i vitit 2026.

Rusi deklaroi se institucioni ka marrë 37% më pak fonde nga sa kishte kërkuar për të tria programet buxhetore, ndërsa theksoi se mungesa e financimit prek disa prej prioriteteve kryesore, përfshirë sigurinë në gjykata, punonjësit dhe kostot operative.

“Kërkuam 10 miliardë e 750 milionë lekë për të tria programet buxhetore, na janë miratuar 6 miliardë e 750 milionë lekë, që do të thotë se na është miratuar 37% më pak buxhet nga sa kemi kërkuar. Është për herë të parë në 7 vitet e KLGJ-së që buxheti i vitit që vjen është 1.1% më i ulët se në vitin e kaluar. Nëpër raportime kemi thënë se cilat janë prioritet për të rritur efikasitetin, rendimentin, por edhe për të plotësuar disa detyra për integrimin në BE. KLGJ së fundmi miratoi edhe studimin për shtimin e numrit të gjyqtarëve, ia kemi dorëzuar edhe Ministrisë. Është masë e domosdoshme për të rritur efikasitetin në punë. Nëse miratohet, do të duhet të kemi edhe pozicione shtesë nga ana juaj. Të shkojmë në miratimin e projektligjit dhe të mos na miratophet fondi për sigurinë në gjykata, nuk di çfarë të flasim më shumë. Z.Manja unë doja të isha konkret në atë çfarë po realizojmë dhe çfarë kërkojmë për vitin tjetër, por një buxhet më u ulët se vitin e kaluar dhe disa zëra, si punonjës, siguri, qera, rritja e tarifave të postës, të mos jepen, nuk do të thotë se e ndihmojmë KLGJ të arrijë objektiva madhore”, deklaroi Ilir Rusi.

Në përgjigje, kryetari i Komisionit, Ulsi Manja, u ndal te vakancat në sistemin gjyqësor dhe çështja e sigurisë në gjykata.

“Rusi tha se buxheti vjen me ulje 1.1% në total se vjet. Janë 264 vakanca, plotësimi i të cilave nuk varet domosdoshmërisht nga KLGJ. Lidhur me sigurinë në gjykata, Rusi e tha se e kanë në marrëveshje me Ilyrian Guard për perimetrin e jashtëm të gjykatës dhe nëse janë rritur tarifat, duhet mbështetur KLGJ. Por është gjë tjetër pjesa e brendshme, sepse skaneri dhe porta detektore nuk është me Ilyrian. Kemi vënë re se ata që punojnë në këto vende paguhen shumë pak, me pagë minimale. Për të marrë profesionistë në këtë vend, është shumë e vështirë me këtë pagë që kanë. Edhe në lidhje me pajisjet duhet të ndalojmë”, u shpreh Manja.

Përfaqësuesja e Ministrisë së Financave, Vima Çausholli, sqaroi se një pjesë e kërkesave të KLGJ-së janë përfshirë në projektbuxhetin afatmesëm, por financimi i tyre do të shpërndahet në disa vite buxhetore.

“Kërkesat e KLGJ, projektet që kanë parashikuar dhe i kemi përfshirë në projektin buxhetor afatmesëm kapin vlerën 7 miliardë lekë dhe i kemi parashikuar të jepen pjesë-pjesë, sipas viteve buxhetore. Për kërkesat e tyre do të shohim se çfarë do të mbulojmë në vijim.

Shërbimi i rojeve të sigurisë do të shikohet, sepse ne i kemi parë në një grupim dhe nuk është dhënë fond shtesë. E kemi menduar se është e përballueshme nga KLGJ, por është çështje që do ta rivlerësojmë. Ai i skanerit dhe portës detektore do të duhet të shikohet dhe mund të barazohet me punonjësit e Ilyrian Guard, që nis nga 75 mijë lekë në muaj si pagë”, deklaroi Causholli.

Në vijim, Manja u ndal te problematikat që lidhen me kontrollin e sigurisë në hyrje të gjykatave, duke theksuar se mungesa e vigjilencës së punonjësve dhe funksionimi i portave detektore kanë krijuar shqetësime.

“Shumë nga problemet na kanë dalë nga mungesa e vigjilencës së punonjësve në porta dhe problemet e portave detektorë”, deklaroi Manja.

Seanca dëgjimore u zhvillua në kuadër të shqyrtimit të projektbuxhetit për vitin 2027 nga Komisioni për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike.

Top Channel