Jon Ossoff, “Obama i ri” i demokratëve/ 39-vjeçari rizgjidhet senator në Xhorxhia dhe shihet si kandidat i mundshëm për Shtëpinë e Bardhë Të paktën 33 persona kanë humbur jetën dhe 50 të tjerë rezultojnë të zhdukur pas një sulmi ajror rus ndaj një ndërtese në fshatin Komyshuvakha, në rajonin e Zaporizhzhias, në juglindje të Ukrainës.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, e cilësoi bombardimin si një nga sulmet më vdekjeprurëse që prej fillimit të luftës, duke bërë të ditur se Rusia kishte hedhur të paktën nëntë bomba mbi ndërtesën ku civilët ishin strehuar dhe merrnin ndihma humanitare.
Sipas guvernatorit lokal, Mykhailo Semikin, objekti përdorej si strehë për civilët dhe qendër shpërndarjeje të ndihmave humanitare. Ai kishte një bodrum të përforcuar, të ndërtuar me financim të Bashkimit Evropian, i projektuar për t’u rezistuar sulmeve të shumta.
Megjithatë, fuqia e shpërthimeve shkaktoi shembjen e strukturës prej betoni dhe shpërthimin e një zjarri, duke bllokuar personat që ndodheshin brenda. Ndërtesa ishte ndërtuar vitin e kaluar për të mundësuar vazhdimin e mësimit gjatë luftës, por për shkak të afrimit të luftimeve, civilët ishin larguar gradualisht nga zona. Aktualisht, objekti nuk përdorej më si shkollë, por si qendër administrative dhe humanitare.
Misioni i Kombeve të Bashkuara për Monitorimin e të Drejtave të Njeriut në Ukrainë reagoi ndaj bombardimit, duke theksuar se sulmi ndodhi pikërisht në momentin kur civilët ishin mbledhur për të marrë ndihma humanitare. Danielle Bell, drejtuese e misionit, deklaroi se vendi dhe orari i shpërndarjes së ndihmave ishin bërë publikë.
“Ushtria ruse ose e dinte se po zhvillohej një shpërndarje ndihmash humanitare, ose nuk kishte ndërmarrë as masat më elementare për të kuptuar se çfarë po ndodhte në fshatin që kishte planifikuar të sulmonte. Në të dyja rastet, ky sulm duket se ka shkelur parimet më themelore të së drejtës ndërkombëtare humanitare”, u shpreh Bell.
Ndërkohë presidenti ukrainas deklaroi se bombardimi i qendrës humanitare u pasua nga një valë tjetër sulmesh masive ruse, me qindra dronë dhe dhjetëra raketa lundruese e balistike, të drejtuara kryesisht kundër infrastrukturës energjetike të Ukrainës.
Ministri ukrainas i Energjisë, Denys Shmyhal, bëri të ditur se tre dronë kishin shënjestruar një nënstacion elektrik me rëndësi strategjike për funksionimin e centralit bërthamor Khmelnytskyi. Ai paralajmëroi se veprime të tilla rrezikojnë sigurinë bërthamore të gjithë Evropës dhe bëri të ditur se Ukraina kishte informuar Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA).
Presidenti Zelensky e lidhi intensifikimin e sulmeve edhe me zhvillimet politike në SHBA.
“Është shumë domethënëse që e gjithë kjo po ndodh në ditën e zgjedhjeve për Kongresin amerikan. Rusët besojnë se Amerika nuk do ta vërejë këtë sinjal që po japin. Por një terror i tillë duhet të vihet re dhe të ndalet”, deklaroi presidenti ukrainas.
Ai i bëri thirrje Uashingtonit që të ndihmojë Ukrainën në mbrojtjen e hapësirës së saj ajrore.
“Ukraina duhet të ndihmohet për të mbrojtur qiellin e saj, përndryshe Rusia nuk do t’i ndalë kurrë sulmet me raketa. Është thelbësore të ndihmohet ndërtimi i një paqeje të ndershme dhe të qëndrueshme, dhe Amerika mund ta bëjë këtë”, shtoi Zelensky.
Sulmi në Komyshuvakha ndodhi në një periudhë të përshkallëzimit të bombardimeve ruse ndaj qyteteve dhe zonave të banuara në Ukrainë. Sipas raportimeve, një nga elementet më shqetësuese të bombardimit ishte goditja e dytë, e cila ndodhi pasi në vendngjarje mbërritën ekipet e emergjencës për të shpëtuar të mbijetuarit.
Të paktën dy punonjës të shërbimeve të emergjencës, Denys Konovalenko dhe Oleksiy Sushchevsky, të dy 44 vjeç, humbën jetën pasi shkuan në vendin e sulmit të parë. Edhe policia ukrainase konfirmoi vdekjen e katër efektivëve: Mykhailo Buzhenko, Mykola Balanda, Mykhailo Romanov dhe Dmytro Besedin. Sipas policisë, ata po ndihmonin banorët të strehoheshin në një shkollë nëntokësore, kur një sulm i dytë i kapi personat që po përpiqeshin të largoheshin.
Guvernatori Semikin deklaroi se Rusia kishte përdorur bomba ajrore KAB-500 dhe FAB-3000. Ai theksoi se bomba FAB-3000 peshon rreth tre tonë dhe përmban afro 1.5 tonë material shpërthyes, duke qenë një armë e projektuar për shkatërrimin e fortifikimeve të rënda prej betoni dhe bunkerëve.
Sulmet e fundit vijnë në një kohë kur administrata e presidentit amerikan Donald Trump po shton përpjekjet për rifillimin e negociatave mes Moskës dhe Kievit. I dërguari amerikan Steve Witkoff zhvilloi së fundmi një takim me Zelenskyn në Norvegji, përpara se të udhëtonte drejt Shën Petersburgut për t’u takuar me presidentin rus Vladimir Putin.
Ndërkohë, sipas një njoftimi nga zyra e Melania Trump, bashkëshortja e presidentit amerikan kishte ndihmuar në sigurimin e një armëpushimi në qytetin e pushtuar ukrainas Oleshky, duke mundësuar evakuimin e qindra civilëve gjatë fundjavës.
Zyra e saj njoftoi gjithashtu se përfaqësues të Rusisë dhe Ukrainës do të mblidheshin në Shtëpinë e Bardhë të enjten, në një zhvillim të cilësuar si një moment i jashtëzakonshëm në historinë amerikane.
Top Channel