Fitorja bindëse për një mandat tjetër në Senat e ka forcuar pozitën e 39-vjeçarit Jon Ossoff në Partinë Demokratike amerikane. Ai shihet si një nga figurat e saj më premtuese dhe emri i tij përmendet gjithnjë e më shpesh në diskutimet për zgjedhjet e ardhshme presidenciale.
Në Xhorxhia, shtet ku Donald Trump fitoi zgjedhjet presidenciale të vitit 2024, Ossoff mundi republikanin Mike Collins. Rezultati u shpall më pak se një orë pasi u mbyllën qendrat e votimit.
Të lidhura
None found
Duke folur para mbështetësve në Atlanta, senatori sulmoi presidentin amerikan. Sipas tij, votuesit kishin hedhur poshtë atë që ai e përshkroi si prishje morale, korrupsion dhe paaftësi të Donald Trump.
Ossoff ka përsëritur se nuk dëshiron të hyjë në garën për Shtëpinë e Bardhë, ndonëse përmendet si kandidat i mundshëm. Një pjesë e atyre që e mbështesin, përkundrazi, thonë hapur se do të donin ta shihnin të kandidonte.
Një e re që votoi për të tha se demokratëve u duhet Ossoff dhe një brez i ri në politikë. Mbështetës të tjerë veçojnë autenticitetin dhe empatinë e tij, si edhe aftësinë për të tërhequr votues përtej kufijve partiakë.
Vëmendje morën edhe komentet që Ossoff bëri gjatë verës për Donald Trumpin dhe marrëdhënien e presidentit me asistenten e tij personale, Natalie Harp.
Në një tubim të fushatës, ai e akuzoi Trumpin se fle në takime, luan golf dhe merret me shitje aksionesh, në vend që t’i kushtohet detyrës presidenciale. Senatori përmendi gjithashtu projektin e presidentit për një sallë vallëzimi në Shtëpinë e Bardhë dhe udhëtimet me Natalie Harp në një avion që, sipas tij, ia kishte dhuruar emiri i Katarit.
Këto deklarata qarkulluan gjerësisht në rrjetet sociale dhe e sollën asistenten e Trumpit në qendër të vëmendjes publike.
Për shumë demokratë, pamja, oratoria dhe mënyra si lidhet me publikun e bëjnë Ossoff të ngjashëm me ish-presidentin Barack Obama. Një mbështetëse në Atlanta tha se të folurit e tij i kujtonte Obamën dhe se Ossoff i dukej i sinqertë.
Krahasimet u përforcuan edhe nga vetë Obama, i cili shkoi në Xhorxhia gjatë ditëve të fundit të fushatës për të mbështetur rizgjedhjen e senatorit.
Ossoff vlerësohet gjithashtu për mënyrën si u jep shpresë dhe frymëzon mbështetësit. Disa prej tyre besojnë se ai mund t’i bëjë ballë Trumpit dhe të përfaqësojë brezin e ri të demokratëve.
Hyrja e Jon Ossoff në politikën amerikane lidhet me vitin 2021, kur fitoi një garë të vështirë për Senatin kundër kandidatit republikan në Xhorxhia. Fitorja e tij, së bashku me atë të senatorit Raphael Warnock, u dha demokratëve kontrollin e Senatit amerikan.
Atëherë 33 vjeç, Ossoff u bë senatori më i ri në SHBA. Ai ka lindur e është rritur në Atlanta, në një familje hebreje, dhe është marrë me politikë që i ri.
Në formimin e tij politik ndikoi John Lewis, aktivisti i njohur për të drejtat civile dhe ish-kongresmeni amerikan. Ossoff i kishte shkruar atij që në moshën 16-vjeçare.
Pas këtij rizgjedhjeje në Xhorxhia, Ossoff konsiderohet një emër që mund të ketë peshë në të ardhmen e Partisë Demokratike, edhe pse vetë nuk ka shprehur ambicie për presidencën.







