Prej nisjes së protestave, opozita e kishte kërkuar me ngul ministrin e Brendshëm Ervin Demo në interpelancë në Kuvend, por kur radha erdhi, kaosi që shkaktuan demokratët në foltore e mbylli seancën pa diskutime
Këtë të mërkurë Demo u shfaq në komisionin parlamentar të Çështjeve të Brendshme, për buxhetin e ministrisë, por në sallë nga opozita nuk ishte asnjë demokrat. Deputetët e opozitës kanë nisur një bojkot të pjesshëm në komisione duke u paraqitur në nisje të tyre për të folur vetëm për protestën, por aty u gjend vetëm Erald Kapri i “Partisë Mundësia”.
Zërin e ngriti për dhunën policore që sipas tij ka qenë jo proporcionale.
“Dua të di, a keni dijeni për dhjetëra protestues që janë dëmtuar rëndë nga plumbat e gomës, shkopat e gomës dhe nga gazi, që nuk shkojnë në spital nga frika? Si e komentoni faktin se arrestimet e policisë janë konsideruar nga gjykata si të paligjshme? A ka oficer që po ndiqet penalisht për shkak të dhunës së ushtruar ndaj protestuesve? Ç'punë kanë efektivët e Shqiponjave, që të rrahin protestuesit?”, tha Kapri.
"Policia përdor pajisje e metoda siç parashikohet në ligj. Policia është aty për të mbrojtur të drejtën kushtetuese dhe për ta garantuar, por është e padrejtë që të mbrojmë edhe dhunën, e cila është me doza shumë të larta, që mund të japin dëmtime të rënda te efektivët", tha Demo.
Megjithatë për rastet e akuzave të pretenduara te dhunës së policëve ndaj protestuesve, sipas Demos nuk është heshtur.
"Kemi 9 efektivë të pezulluar, për veprime individuale që kanë bërë. 50 raste janë nën hetim nga AMP. Policia është duke bashkëpunuar me prokurorinë për rastet e referuara. Jemi të hapur ndaj çdo hetimi, jemi të vendosur që t’i shkojmë në fund çdo rasti dhune ndaj policëve dhe institucioneve", shtoi Demo.
3.3 miliardë lekë në pr Buxhetin e vitit 2027 janë parashikuar për rritjen e pagave të punonjësve të policisë së shtetit, një prioritet që sipas ministrit ishte deklaruar prej tij në ditët e para të marrjes së detyrës, përpara nisjes së protestave.
“Jam i bindur që kjo politikë pagash është e domosdoshme për të garantuar, në të njëjtën kohë, trajtimin me dinjitet të punonjësve të Policisë së Shtetit, por edhe për të kërkuar më shumë profesionalizëm për sa i përket ushtrimit të detyrës”, deklaroi Demo.
Për 8,174 punonjës me gradën Inspektor, që përbëjnë 73% të punonjësve me grada në Policinë e Shtetit, parashikohet një rritje e pagës për gradë me 20 mijë lekë në muaj. Duke përfshirë edhe efektin e vjetërsisë në punë, rritja mesatare arrin në 23,600 lekë në muaj, ose 27%. Ndërsa për punonjësit me grada të tjera, rritja e pagës për gradë parashikohet në 15 mijë lekë në muaj, me një efekt mesatar që varion nga 8% deri në 17%, duke përfshirë edhe vjetërsinë.
Buxheti i parashukuar për ministrinë e brendshmë eshtë rreth 40 miliardë lekë , 12% më i lartë se viti aktuale,. Pjesën e luanit e merr Policia e Shtetit me 20% më shumë. Prioritet është “Smart City”, ku parashikohen 2 miliardë lekë financim i huaj dhe 1 miliard lekë për TVSH-në.
"Teknologjia duhet të na ndihmojë të rrisim aftësinë parandaluese, të përmirësojmë reagimin operacional dhe të përdorim më mirë burimet njerëzore. Smart City është një investim që synon t'i japë Policisë së Shtetit mjete dhe kapacitete të reja për t'iu përgjigjur më shpejt dhe më me efikasitet sfidave të sigurisë publike", u shpreh ministri Demo.
Financim shtesë parashikohet edhe për Gardën e Republikës, prefekturat dhe shërbimin e gjendjes civile.
Pushteti vendor, 114.6 miliardë lekë buxhet në vitin 2027 – rritje e transfertave për bashkitë. Projektet kryesore
Buxheti vendor parashikohet në 114.6 miliardë lekë, me një rritje prej 2.4% krahasuar me vitin 2026, ndërsa transfertat nga Buxheti i Shtetit për njësitë e vetëqeverisjes vendore arrijnë në 49.4 miliardë lekë, ose 4% më shumë se një vit më parë. Në detaj, transferta e pakushtëzuar e përgjithshme parashikohet në 29.3 miliardë lekë, me rritje 5.2%, ndërsa transferta e pakushtëzuar sektoriale arrin në 19.9 miliardë lekë, me rritje 2.4%.
Gjatë prezantimit të projektbuxhetit në Komisionin për Çështjet e Brendshme dhe të Mbrojtjes, ministri i Punëve të Brendshme, Ervin Demo, theksoi se këto financime synojnë të mbështesin funksionet e bashkive dhe përmirësimin e shërbimeve që ofrohen drejtpërdrejt për qytetarët.
“Në të gjithë treguesit financiarë të pushtetit vendor, ne vazhdojmë të kemi një rritje progresive, por ajo çfarë është më e rëndësishme është mbështetja që vazhdon dhe është për disa nga reformat kryesore të cilat do t'i bashkohen reformës territoriale. Së pari është digjitalizimi, që është një projekt i financuar nga Banka Botërore, që tashmë fillon implementimin në disa prej bashkive të vendit, duke filluar nga bashkia Tiranë, e cila do të garantojë digjitalizimin e shërbimeve vendore krahas atyre shërbimeve qeveritare, po i quajmë në nivel të qeverisë qendrore, por dhe shërbimet në nivel vendor, falë këtij projekti të financuar nga Banka Botërore. Ne shumë shpejt do të kemi një risi shumë të madhe përsa i përket shërbimeve vendore dhe mënyrës se si qytetari ndërvepron me bashkitë në vend.
Po ashtu, AFMIS-i, që është një sistem i Ministrisë së Financave, por në fakt që ka një rol të rëndësishëm përsa i përket planifikimit, programimit për pushtetin vendor në tërësi, po ashtu i financuar nga Banka Botërore, është duke ecur me hapa të shpejtë. Ajo çfarë është e rëndësishme, sidomos për pjesën e pushtetit vendor nga pikëpamja politikëbërjes, është dashbord-i i cili do të krijohet nëpërmjet këtij sistemi për të kuptuar në kohë reale se si është situata financiare në çdo bashki të vendit. Dhe për të parë më mirë, jo vetëm alokimin e burimeve të qeverisë qendrore, por në të njëjtën kohë për të bërë politika edhe për t'i ardhur në ndihmë vetë bashkive në nivel lokal. Po ashtu, TALGA tashmë e ngritur me kapacitete të plota do të jetë një instrument jashtëzakonisht i rëndësishëm për të mbështetur tranzicionin, po e quajmë, që do të vijë si rrjedhojë e reformës territoriale.
Ne kemi mbështetjen e një sërë partnerëve të cilët tashmë janë të gatshëm të mbështesin të gjitha politikat që duhet të marrin jetë pas reformës territoriale. Ne e dimë të gjithë, e kemi kaluar këtë në 2015-ën, e dimë se sa sfiduese është faza e parë e tranzicionit dhe të gjitha instrumentat që ministria ka në dispozicion, duke filluar me atë që ka të bëjë me kapacitetet, që është Akademia e Pushtetit Vendor, e cila tashmë ka të gjithë burimet e nevojshme për të garantuar rritjen e kapaciteteve në nivel vendor dhe për të bërë të gjitha ato ndërhyrje që duhen, në bazë të nevojave specifike që do të kenë bashkitë, me një fokus të veçantë të bashkive që janë prekur nga reforma, nga reforma territoriale. Dhe siç e përmenda, këtu po ashtu ne kemi mbështetjen e partnerëve të ndryshëm, duke filluar me ata zvicerianë, suedezë, hollandezë, delegacioni po ashtu, të cilët do të mbështesin këtë tranzicion për sa i përket reformës territoriale.
Unë besoj që ajo çfarë ne do të presim nga reforma patjetër efektet do të jenë pozitive, por do të jenë të shtrira në kohë. Reforma hyn në fuqi pothuajse në mes të vitit buxhetor, pas zgjedhjeve lokale, vetvetiu viti 2027 do të jetë një vit tranzicioni për administratat, për buxhetet, sepse edhe buxhetet që ne tashmë do të alokojmë nëpërmjet buxhetit të shtetit, ato do të transferohen në një moment të caktuar te bashkitë e reja, dhe ne jemi të fokusuar që 2027 të jetë një vit që të eci me shpejtësi për sa i përket konsolidimit të bashkive të reja dhe të qenit gati për sa i përket planifikimeve që do të duhet të kenë për vitin 2028”, prezantoi Demo në Komisionin parlamentar.
Deputeti i Partisë Mundësia, Erald Kapri dhe kryetari i Komisionit për Çështjet e Brendshme dhe të Mbrojtjes, Bledi Çuçi, kanë replikuar në mbledhjen e Komisionit, lidhur me reagimin e Policisë gjatë protestave të dhunshme të disa ditëve më parë.
Kapri tha gjatë fjalës së tij se rritja e pagave për punonjësit e Policisë po bëhet me qëllim shtypjen e protestave.
Teksa nxori fotografi të protestuesve të dhunuar sipas tij nga Policia, Kapri tha se Policia ka përdorur dhunë jo-proporcionale mbi protestuesit.
“Rritja e pagave dhe shpërblimi pas protestës, e cila vijon duke u shtypur. Dua të di sa ka kushtuar blerja e dy autobotëve që hedhin ujë, nëse janë dhuruar, dua të di nga kush? Po dronët që hedhin gazin lotsjellës, që kanë rënë mbi kokat e protestuesve, ato ndalohen të fluturojnë mbi kokat e njerëzve, mbi ç'bazë ligjore e bëni? Dua të di, a keni dijeni për dhjetëra protestues që janë dëmtuar rëndë nga plumbat e gomës, shkopat e gomës dhe nga gazi, që nuk shkojnë në spital nga frika? Si e komentoni faktin se arrestimet e policisë janë konsideruar nga gjykata si të paligjshme? A ka oficer që po ndiqet penalisht për shkak të dhunës së ushtruar ndaj protestuesve? Ç'punë kanë efektivët e Shqiponjave, që të rrahin protestuesit?”, tha mes të tjerash Kapri.
Por Çuçi i tha Kaprit se nuk ishte i sinqertë, pasi sipas tij, ka përmendur vetëm reagimin e Policisë dhe jo sulmet me sende të forta e molotovë ndaj efektivëve.
Çuçi më tej theksoi se shqiptarët e kanë parë trajtimin që i bën Policia në vende të ndryshme të Europës protestave të dhunshme.
“Unë sigurisht që do të kisha ndjeshmërinë e duhur nëse ti do të ishe i sinqertë në këto që thua. Por mungesa e sinqeritetit fillon në momentin kur ti nuk thua gjysëm fjale për ata policë që janë në krye të detyrës dhe janë akoma në spital. Dhe janë dhunuar barbarisht me bomba molotov, armë zjarri e zhdukjes në masë. I thoni këto në një moment kur shqiptarët i shohin në të gjithë Europën sesi i trajton policia protestat e dhunshme”, iu përgjigj Çuçi.
Ministri i Brendshëm, Ervin Demo, ka folur sot në Komisionin për Çështjet e Brendshme edhe për protestat e dhunshme të zhvilluara disa ditë më parë në Tiranë.
Demo tha se gjatë protestave, dhuna ka qenë me doza shumë të larta, duke rrezikuar edhe dëme të shumta te efektivët e Policisë.
Ai shtoi se Policia përdor pajisje e metoda siç e parashikon ligji, teksa shtoi se uniformat blu janë aty për të mbrojtur të drejtën Kushtetuese dhe për të garantuar sigurinë.
Lidhur me rastet e përdorimit të tepruar të forcës nga ana e Policisë, Demo tha se 9 efektivë janë pezulluar gjatë protestave, ndërsa 50 raste janë nën hetim në AMP.
“Policia përdor pajisje e metoda siç parashikohet në ligj. Kur flasim për dhunën, dhuna duhet dënuar. Policia është aty për të mbrojtur të drejtën kushtetuese dhe për ta garantuar sigurinë, por është e padrejtë që të mbrojmë edhe dhunën që është me doza shumë të larta, që mund të japin dëmtime të rënda te efektivët. Kemi 9 efektivë të pezulluar, për veprime individuale që kanë bërë, 50 raste janë nën hetim nga AMP, policia është duke bashkëpunuar me prokurorinë për rastet e referuara. Jemi të hapur ndaj çdo hetimi, jemi të vendosur që t'i shkojmë në fund çdo rasti dhune ndaj policëve dhe institucioneve”, tha mes të tjerash Demo.
-
Je këputur për rritjen e pagës 3 % për Gardën e Republikës, o z Ministër, po kush të ruan, kush të shoqëron, kush të mbron në Seancë Plenare nga Spartanët e Sali Non Grada apo ??. Ju zëntë sytë juve dhe gjithë ish Ministrat e Brëndshëm të Sacialistëve. Garda e Republikës ka 5 muaj që nuk po mer orët shtesë nga Protestat e Flamingove të mbështetura nga Sali Non Grada. Garda ka që nga viti 2013 që nuk mer rrogën e 13, ku shkojnë këto lekë, Garda e Republikës është më e diskriminuara nga Qeverria Socialiste, turp e jazëk ju qoftë.
Përgjigju








Komente
Komento