“Më preku këmbët gjatë udhëtimit”, studentja denoncon ngacmimin në autobusin Lezhë–Tiranë

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 04.11.2026, 10:43

Një studente ka denoncuar një rast shqetësues të ngacmimit seksual në një prej autobusëve të linjës Lezhë–Tiranë, duke kërkuar që rasti të bëhet publik me qëllim parandalimin e ngjarjeve të ngjashme.

Në një mesazh të dërguar në redaksinë tonë, qytetarja, e cila ka kërkuar të mbetet anonime, tregon se është ngacmuar fizikisht nga një pasagjer, i cili, sipas saj, i ka zgjatur dorën nga pas dhe i ka prekur këmbët gjatë udhëtimit.

Studentja tregon se e kishte vënë re edhe më herët personin në fjalë në autobus, por ngjarja e fundit e ka shqetësuar veçanërisht. Ajo thotë se në momentin e parë ka mbetur e hutuar dhe nuk ka arritur të reagojë, ndërsa më pas ka vendosur ta denoncojë rastin përmes redaksisë.

Sipas përshkrimit të saj, personi mban zakonisht syze dhe përdor një shkop të ngjashëm me ata që përdoren nga personat me dëmtime të shikimit. Megjithatë, qytetarja ngre dyshime mbi sjelljen e tij, duke pretenduar se ai shikonte në mënyrë të papërshtatshme vajzat që kalonin në autobus për të zbritur. Ajo shton se e ka parë duke e hapur shkopin vetëm pasi kishte zbritur nga autobusi.

Studentja thekson se udhëton çdo ditë në linjën Lezhë–Tiranë dhe se në të njëjtën situatë mund të gjenden edhe shumë vajza të tjera që përdorin këtë linjë për të shkuar në shkollë apo në punë.

Përmes këtij denoncimi, ajo kërkon ndërgjegjësim dhe marrjen e masave që raste të tilla të mos përsëriten, duke bërë thirrje që vajzat të jenë të kujdesshme dhe të mos heshtin përballë ngacmimeve.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit