Erion Veliaj është zhvendosur nga sektori A i paraburgimit në sektorin spitalor të Burgut të Fierit. Zhvendosja është kryer brenda të njëjtit institucion penitenciar, ku kryebashkiaku i Tiranës vijon të qëndrojë në paraburgim.
Sipas burimeve pranë burgut, ky vendim është marrë pas gjetjeve të Komitetit Shqiptar të Helsinkit (KSHH), si dhe ankesave të Veliajt lidhur me trajtimin dhe vlerësimin e gjendjes së tij shëndetësore.
Veliaj ka pretenduar se problemet e tij shëndetësore nuk janë vlerësuar siç duhet, duke ngritur shqetësime edhe për dëmtimet në këmbë, të cilat, sipas tij, i ka pësuar gjatë qëndrimit në Burgun e Durrësit. Ndërkohë, zhvendosja në sektorin spitalor synon të mundësojë ndjekjen e gjendjes së tij shëndetësore.
Si duket letra e Veliajt kundër kryeministrit Edi Rama po jep efektet e saj. Në letrën e publikuar nga burgu i Fierit, Veliaj pretendoi se transferimi i tij ishte bërë me urdhër të Ramës, kërkoi një hetim të pavarur nga GJKKO dhe deklaroi se do të refuzonte pjesëmarrjen në seanca deri në plotësimin e kushteve të tij.