Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, mori pjesë në konferencën ndërkombëtare “Zgjerimi i BE-së: Vlerësimi i koncepteve të reja dhe perspektiva për vitin 2027”, organizuar nga Këshilli Gjerman për Marrëdhëniet me Jashtë (DGAP).
Gjatë fjalës së tij, Hoxha theksoi se realitetet gjeopolitike e kanë bërë zgjerimin një domosdoshmëri strategjike dhe sigurie për Europën. Por kjo, sipas Ministrit të Jashtëm, nuk mund të ndodhë në kurriz të përmbajtjes dhe standardeve, sepse reformat mbeten po aq të domosdoshme sa më parë.
“Ne nuk po bëjmë reforma thjesht për t’u bërë europianë por sepse jemi Europianë dhe sepse qytetarët tanë meritojnë institucione që funksionojnë sipas standardeve europiane”, nënvizoi Hoxha.
Shqipëria, për Ministrin e Jashtëm, nuk kërkon rrugë të shkurtër drejt anëtarësimit në BE.
“Anëtarësimi në BE fitohet me meritë, nuk dhurohet si akt solidariteti. Fitohet reformë pas reforme, kapitull pas kapitulli, standard pas standardi, duke ndërtuar institucione funksionale, demokratike dhe të përgjegjshme, për të cilat Shqipëria ka nevojë për veten e saj dhe që anëtarësimi në BE kërkon. Shqipëria po bën pikërisht këtë: reforma, zbatim, llogaridhënie dhe vlerësim mbi bazën e meritës. Por një proces i bazuar në meritë duhet të funksionojë në të dyja drejtimet.
Kur vendet kandidate japin rezultate, Europa duhet të përgjigjet. Kur reformat sjellin rezultate, ato duhet të përkthehen në progres konkret. Sepse zgjerimi nuk ka të bëjë thjesht me një Bashkim Europian më të madh. Ka të bëjë me një Europë më të fortë, më të sigurt dhe, më në fund, të bashkuar plotësisht”, përfundoi Ministri.
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, gjatë vizitës në Berlin, mori pjesë në panelin “Evropa në zgjerim: Argumenti për Zgjerimin”, ku theksoi se anëtarësimi i vendeve kandidate në Bashkimin Evropian përbën një investim strategjik në sigurinë, qëndrueshmërinë dhe fuqinë gjeopolitike të Evropës.
Në diskutim morën pjesë edhe Ministri i Shtetit për Çështjet Evropiane të Gjermanisë, Günther Krichbaum, dhe Kryenegociatori i Kosovës, Jeton Zulfaj.
Në një postim mbi diskutimin, Ministri Hoxha nënvizoi konsensusin e gjerë kombëtar për anëtarësimin e Shqipërisë në BE dhe angazhimin për ta përkthyer atë në reforma dhe rezultate konkrete.
“Për ne, integrimi evropian nuk ka të bëjë me të dukurit gati. Ka të bëjë me të qenit gati. Me reforma, zbatim dhe me marrjen e vendimeve të nevojshme për t’u bërë një anëtar plotësisht funksional i familjes evropiane”, u shpreh ai.
Ministri veçoi tre parime thelbësore për suksesin e zgjerimit: besueshmërinë, drejtësinë dhe progresin e prekshëm.
Ai theksoi nevojën për një udhërrëfyes të qartë, objektiva të matshëm dhe një proces të bazuar në meritë, ku përmbushja e detyrimeve nga vendet kandidate të shoqërohet me përgjigjen përkatëse të BE-së.
“Merita duhet të funksionojë në të dyja drejtimet: kur vendet kandidate përmbushin detyrimet e tyre, Evropa duhet të përgjigjet”, theksoi Ministri Hoxha.
Ai u ndal gjithashtu te rëndësia e integrimit gradual përpara anëtarësimit formal, duke u mundësuar qytetarëve, bizneseve dhe institucioneve të përjetojnë përfitimet dhe përgjegjësitë e integrimit, paralelisht me avancimin e reformave.
Duke iu referuar Berlinit si simbol i kapërcimit të ndarjeve dhe i ribashkimit evropian, Ministri Hoxha bëri thirrje për vendime të guximshme në një kohë kërcënimesh hibride, ndërhyrjesh të huaja, dezinformimi dhe konkurrencës gjeopolitike.
“Zgjerimi mund të rezultojë një nga investimet më efikase që Evropa mund të bëjë për sigurinë e saj”, përfundoi ai.










Komente
Komento