I dënuar me 20 vite burg për vrasje në Itali, arrestohet në Vlorë Mariglen Doga
Policia e Vlorës ka arrestuar Mariglen Dogën, një person i shpallur në kërkim ndërkombëtar për vuajtjen e një dënimi prej 20 vitesh burg të dhënë nga drejtësia italiane për një vrasje të ndodhur më shumë se dy dekada më parë.
Burime paraprake bëjnë me dije se operacioni është zhvilluar në banesën e tij në Vlorë, ku efektivët e policisë kanë ndërhyrë për ekzekutimin e urdhrit të arrestimit. Ndalimi i tij është kryer me qëllim vijimin e procedurave për ekstradimin drejt Italisë.
Mariglen Doga është dënuar nga Gjykata e Bolonjës me 20 vite heqje lirie, pasi është shpallur fajtor për vrasjen e një shtetasi shqiptar në vitin 2000, në qytetin e Ravenës. Sipas të dhënave paraprake, ai kishte vuajtur një pjesë të këtij dënimi, por ende nuk kishte shlyer të gjithë masën e përcaktuar nga drejtësia italiane.
Në momentin e arrestimit, Dogës i kishin mbetur edhe gjashtë vite burg për të përfunduar dënimin, çka kishte bërë që ai të kërkohej ndërkombëtarisht nga autoritetet italiane.
Emri i Mariglen Dogës është përmendur edhe në çështje të tjera penale në Shqipëri. Ai është dënuar më herët me 10 vite burg për vrasjen e Isuf Gjonit në Vlorë.
Gjithashtu, Doga ishte arrestuar edhe nën dyshimet për përfshirje në një rast gjobëvënieje ndaj një biznesmeni. Megjithatë, për këtë çështje ai ishte shpallur më pas i pafajshëm nga Gjykata e Krimeve të Rënda.
Arrestimi i fundit pritet të pasohet nga procedurat ligjore për ekstradimin e tij në Itali, ndërsa priten edhe detaje të tjera zyrtare nga Policia e Vlorës lidhur me operacionin dhe ekzekutimin e urdhrit ndërkombëtar të ndalimit.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



