Ndryshime në sistemin prokurorial, Gashi cakton mbikëqyrës për të gjitha prokuroritë e vendit

Kryeprokurori i Shtetit, Zejnulla Gashi, ka marrë vendim për caktimin e prokurorëve nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit si mbikëqyrës të punës së Prokurorisë së Apelit, Prokurorisë Speciale dhe prokurorive themelore në vend.
Sipas njoftimit të Prokurorit të Shtetit, ky vendim synon rritjen e efikasitetit, zbatimin unik të praktikave dhe forcimin e ligjshmërisë në sistemin prokurorial.
Prokurorët e caktuar do të mbikëqyrin menaxhimin dhe efikasitetin e prokurorive përkatëse, si dhe do të ofrojnë mbështetje dhe këshillim në zbatimin e udhëzimeve dhe vendimeve të Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit.
Një nga detyrat e tyre do të jetë edhe monitorimi i trajtimit të lëndëve të vjetra dhe atyre me prioritet, duke respektuar pavarësinë funksionale të prokurorëve.
Po ashtu, mbikëqyrësit do të kenë përgjegjësi për identifikimin e sfidave dhe problemeve institucionale, përcjelljen e zbatimit të shqyrtimit të detyrueshëm të lëndëve dhe pjesëmarrjen në kolegjiumet e prokurorive përkatëse.
Në njoftim thuhet se përmes këtij vendimi synohet forcimi i llogaridhënies dhe transparencës institucionale, si dhe përmirësimi i koordinimit dhe komunikimit brenda sistemit prokurorial.









































