Trajneri i Atlético Madrid, Diego Simeone, nuk pranoi të kritikonte skuadrën e tij, pasi seria prej nëntë ndeshjesh pa humbje mori fund me një disfatë 2-0 ndaj Bayern Munich në Champions League në stadiumin “Metropolitano”.
“Futbolli bazohet në shumë momente të mira individuale, por edhe në gabimet që bëhen. Qoftë kur mbrohesh dobët, kur humbet zotërimin e topit, apo kur nuk arrin të mbulosh kundërshtarin gjatë një goditjeje nga këndi”, tha argjentinasi.
Më tej, Simeone sqaroi: “Kjo është arsyeja pse shënohen kaq shumë gola. Ata që dinë t’i shfrytëzojnë më së miri këto situata, janë edhe ata që përfitojnë më shumë.”
“Duhej të vazhdonim të luanim ashtu siç po luanim deri në momentin e golit të parë. Deri atëherë, po përballeshim denjësisht me një kundërshtar të fortë dhe të nivelit të lartë”, tha Simeone.
“Ne e njohim njëri-tjetrin, i dimë pikat e tyre të forta, por edhe pikat tona të forta e të dobëta. Gjithmonë përpiqemi të përmirësohemi. Golat vijnë gjithmonë si pasojë e gabimeve, ose të paktën shumica e tyre. Gjithmonë ka një gabim”, tha ai.
“E kishim ndeshjen nën kontroll, e luajtëm pikërisht ashtu siç donim. Fatkeqësisht, pësuam golin e parë dhe nuk arritëm të reagonim. Mund të kishim bërë më mirë para golit të dytë, i cili praktikisht i dha fund ndeshjes”, deklaroi Simeone.







