Obama pas fitores së demokratëve: Amerikanët duan politika që bashkojnë, jo që përçajnë
Ish-presidenti amerikan Barack Obama ka reaguar për herë të parë pas zgjedhjeve të mesmandatit në SHBA. Ai e vlerësoi fitoren e demokratëve dhe theksoi se qytetarët amerikanë kërkojnë një politikë që i bashkon njerëzit, në vend që t’i përçajë.
Sipas mediave amerikane, Partia Demokratike ka rimarrë kontrollin e të dyja dhomave të Kongresit, si të Dhomës së Përfaqësuesve ashtu edhe të Senatit. Numërimi i votave vazhdon ende në disa gara.
“Sonte, populli amerikan dërgoi një mesazh të qartë: ata duan një politikë që bashkon njerëzit dhe jo që i përçan, si dhe liderë që ofrojnë zgjidhje konkrete për sfidat me të cilat përballen”, shkroi Obama në një postim në rrjetin social X.
Ish-presidenti përgëzoi kandidatët demokratë, të cilët, sipas tij, fituan mbështetje në zona të ndryshme të vendit, përfshirë edhe bastione që më parë konsideroheshin të vështira për t’u fituar. Ai theksoi se kandidatët vinin nga prejardhje dhe këndvështrime të ndryshme politike, por i bashkonin vlerat e përbashkëta, përkushtimi ndaj shërbimit publik dhe vendosja në plan të parë e interesave të qytetarëve.
Obama falënderoi gjithashtu zyrtarët zgjedhorë të të gjitha krahëve politikë për mbarëvajtjen e procesit.
Duke iu drejtuar administratës aktuale, ai shtoi: “Ndërsa kjo administratë ka edhe dy vjet në detyrë, detyra jonë tani është të përveshim mëngët”. Sipas tij, demokratët duhet të bëjnë ndryshime aty ku munden, të parandalojnë dëme të mëtejshme dhe të hedhin themelet për të ardhmen.
Mes fitoreve të shënuara nga demokratët janë ajo e Amy Acton për guvernatore të Ohios, e Josh Turek për Senatin në Iowa dhe e Keisha Lance Bottoms për guvernatore të Xhorxhias, një fitore që mediat amerikane e cilësojnë historike.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



