Yield-et e obligacioneve 15-vjeçare rriten më tej në 6.42%
Yield-et e obligacioneve 15-vjeçare shënuan një rritje të mëtejshme në ankandin e kësaj jave.
Sipas informacionit nga Banka e Shqipërisë, yield-i uniform i pranuar u rrit në 6.42%, nga 6.35% që kishte qenë në ankandin e fundit, të muajit gusht.
Yield-i këtyre instrumenteve është gjithashtu në rritje nga niveli prej 6.19% ku qëndronte një vit më parë. Aktualisht, yield-i i obligacioneve 15-vjeçare ka arritur nivelin më të lartë që prej gushtit të vitit 2024.
Në ankand u regjistrua rritje e kërkesës së investitorëve, ndryshe nga sa ka ndodhur përgjithësisht në muajt e fundit, kur ankandet e titujve qeveritarë janë karakterizuar nga një kërkesë më e ulët e investitorëve. Ndërkohë, në ankandin e kësaj jave shuma totale e kërkesave ishte rreth 5.15 miliardë lekë, nga 2 miliardë lekë që kishte qenë shuma e shpallur për financim.
Ministria e Financave vendosi ta shfrytëzojë kërkesën e lartë dhe e rriti shumën e emetimit në 2.3 miliardë lekë, duke kompensuar kështu shumat e paplotësuara në disa prej ankandeve të mëpasshme, kryesisht të bonove 12-mujore.
Veçanërisht pas tremujorit të dytë, yield-et e titujve qeveritarë kanë shfaqur një tendencë në rritje, sidomos në instrumentet me maturim më afatgjatë. Konflikti në Lindjen e Mesme shkaktoi rritje të inflacionit dhe forcoi pritshmëritë e tregjeve për një rritje të normave të interesit.
Përveç rikalibrimit të pritshmërive të investitorëve, rritja e yield-eve në muajt e fundit mund të shpjegohet me uljen e pjesëmarrjes së tyre në ankande.
Një tendencë e tillë pjesërisht lidhet me një ulje graduale të blerjeve nga bankat, që janë investitorët kryesorë në titujt e borxhit qeveritar dhe me pritshmëri më të larta për rritje të normave të interesit në muajt e ardhshëm.
Një faktor tjetër që po ndikon në rritjen e yield-eve është edhe rritja e kërkesës për financim në tregun e brendshëm. Sipas kalendarit të publikuar nga Ministria e Financave, huamarrja e qeverisë në tregun e brendshëm do të rritet ndjeshëm në tremujorin e fundit të këtij viti.
Shuma e programuar për t’u financuar në tregun e brendshëm, (duke përfshirë edhe rifinancimet e instrumenteve të maturuar) do të ketë vlerën 87 miliardë lekëve, në rritje me 9.4% krahasuar me shumën e planifikuar të huamarrjes për tremujorin e tretë dhe me 34% krahasuar me planin e huamarrjes në të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Yield-et e titujve qeveritarë në përgjithësi janë hallka e parë dhe më e shpejtë ku transmetohen lëvizjet e politikës monetare të Bankës së Shqipërisë. Një rritje e yield-eve nuk shtrenjton vetëm koston e huamarrjes së qeverisë, por më tej përcillet edhe në interesat e kredive të sektorit privat./ E.Shehu
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.










