Një efektiv i Forcave ushtarake në Bazën e Forcave Ajrore të Kuçovës është vetë-plagosur aksidentalisht me armën e shërbimit në kraharor pasditen e kësaj të marte.
Sipas ministrisë së Mbrojtjes, ngjarja ka ndodhur rreth orës 16:46 minuta.
Ushtari Eltion Dyrmo, 27 vjeç ka qenë në detyrë si roje shërbimi dhe teksa po luante me armën e shërbimit, ajo i është shkrepur duke i shkaktuar plagë në kraharor, shumë afër zemrës.
Efektivit iu dha ndihma e parë mjekësore dhe u transportua në gjendje të rënduar në Spitalin Rajonal të Beratit ku i është nënshtruar një operacioni.
Në gjendje të stabilizuar, efektivi është dërguar në Spitalin e Traumës në Tiranë, për të vijuar trajtimin mjekësor të specializuar.
Njoftimi i plotë
Ministria e Mbrojtjes informon se, më datë 3 nëntor 2026, rreth orës 16:46, gjatë kryerjes së shërbimit në Bazën Ajrore të Kuçovës, efektivi E.D është plagosur në shpatull me armën e shërbimit.
Menjëherë pas ngjarjes, efektivit iu dha ndihma e parë mjekësore dhe u transportua në Spitalin Rajonal të Beratit.
Sipas vlerësimit të mjekëve, parametrat jetësorë janë brenda normës dhe ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Efektivi është nisur drejt Spitalit Universitar të Traumës në Tiranë, për të vijuar trajtimin mjekësor të specializuar.
Policia Ushtarake ndodhet në vendngjarje dhe po vijon procedurat për dokumentimin dhe zbardhjen e plotë të shkaqeve dhe rrethanave të ngjarjes.
Ministria e Mbrojtjes po ndjek nga afër situatën dhe gjendjen shëndetësore të efektivit, të cilit i uron shërim të shpejtë.
-
Po luhet me armen,aq me teper kur je ne sherbim roje ne baze?!
Përgjigju





Komente
Komento