“Norma bazë e interesit mbetet e pandryshuar”, Sejko: Inflacioni mund të pësojë rritje për shkak të rritjes së çmimit të naftës
Banka e Shqipërisë ka vendosur të mos ndryshojë normën bazë të interesit, duke e mbajtur atë në nivelin 2.5%. Vendimi u mor këtë të martë nga Këshilli Mbikëqyrës, pas shqyrtimit të zhvillimeve më të fundit ekonomike dhe financiare, si dhe parashikimeve për ecurinë e ekonomisë dhe inflacionit.
“Këshilli Mbikëqyrës gjykon se ky qëndrim ofron balancën më të mirë midis pasigurive të shtuara në këtë raund parashikimi dhe nevojës për një normalizim të mundshëm të qëndrimit të politikës monetare në të ardhmen. Si i tillë, ai siguron kushtet më të favorshme monetare për zhvillimin e qëndrueshëm të ekonomisë dhe kthimin e inflacionit në objektiv”, tha Sejko.
Megjithatë, Banka Qendrore shpreh shqetësim për zhvillimet ndërkombëtare dhe presionet mbi çmimet.
Guvernatori vuri në dukje se presionet inflacioniste nga jashtë janë forcuar, për shkak të rritjes së çmimeve të naftës dhe burimeve të tjera të energjisë në tregjet ndërkombëtare.
“Sipas skenarit bazë, inflacioni pritet të rritet disi mbi objektiv në afatin e shkurtër, kryesisht si pasojë e intensifikimit të presioneve inflacioniste nga jashtë. Më tej, normalizimi gradual i këtyre presioneve, së bashku me ecurinë e qëndrueshme të faktorëve të brendshëm, pritet të mundësojë kthimin e inflacionit në objektiv gjatë vitit 2028”, u shpreh Sejko.
Në rast se presipnet e huaja inflacioniste forcohen në të ardhmen dhe shtohen rreziqet për ekonominë, Sejko paralajmëroi se në mbledhjet e ardhshme Këshilli Mbikëqyrës mund të rrisë normën bazë të interesit për lekun.




