Demokratët po korrin një seri fitoresh në zgjedhjet e mesmandatit në SHBA, duke arritur të marrin edhe një mandat në Senat që deri më tani mbahej nga republikanët. Sipas projeksioneve të CNN dhe NBC, demokrati Roy Cooper ka fituar garën në Karolinën e Veriut, ndërsa rezultatet e deritanishme tregojnë demokratët në avantazh me 45 mandate kundrejt 36 të republikanëve.
Fitorja e Cooper në Karolinën e Veriut është veçanërisht e rëndësishme, pasi demokratët duhet t'u marrin republikanëve katër mandate për të siguruar shumicën në Senat. Me këtë fitore, atyre u duhen edhe tri mandate të tjera për të arritur objektivin.
Në Senat, Ed Markey është rizgjedhur në Massachusetts, Jack Reed në Rhode Island dhe Cory Booker në Nju Xhersi, duke mundur përkatësisht republikanët John Deaton, Raymond McKay dhe Justin Murphy. Në Illinois, demokratja Juliana Stratton ka fituar ndaj republikanit Don Tracy, duke ruajtur për partinë vendin e lënë nga senatori Dick Durbin. Ndërkohë, Jon Ossoff është rizgjedhur në Xhorxhia dhe Mark Warner në Virxhinia.
Fitore kanë shënuar edhe guvernatorët demokratë Josh Shapiro në Pensilvani, Maura Healey në Massachusetts, Wes Moore në Maryland dhe JB Pritzker në Illinois, të cilët kanë siguruar mandate të reja.
Ndërkohë, Chris Coons është rizgjedhur senator në Delaware, ndërsa kongresmeni demokrat Jared Moskowitz ka fituar një tjetër mandat në Dhomën e Përfaqësuesve, në distriktin e 25-të të Floridës.
Pavarësisht kësaj serie fitoresh, shumica e mandateve të konfirmuara deri tani mbaheshin edhe më parë nga demokratët. Megjithatë, fitorja në Karolinën e Veriut shënon një ndryshim të rëndësishëm në raportin e forcave, ndërsa gara për kontrollin e dy dhomave të Kongresit mbetet e hapur.
Presidenti Donald Trump, i cili i ka cilësuar këto zgjedhje si më të rëndësishmet në historinë amerikane, ka paralajmëruar se është i gatshëm të përdorë “kompetenca të jashtëzakonshme” nëse demokratët marrin kontrollin e Kongresit. Ai ka deklaruar gjithashtu se do të përdorë veton presidenciale për të bllokuar nismat e kundërshtarëve politikë
Por çfarë votuan amerikanët dhe pse kanë rëndësi këto zgjedhje?
Amerikanët nuk votuan për presidentin, pasi Donald Trump është në mandatin e tij të dytë, por për përbërjen e re të Kongresit, parlamentit amerikan që përbëhet nga Dhoma e Përfaqësuesve dhe Senati.
Në këto zgjedhje ishin në garë të 435 vendet e Dhomës së Përfaqësuesve, ku mandati zgjat dy vjet, si dhe 35 vende në Senat, ku senatorët zgjidhen për gjashtë vjet. Ndryshe nga Dhoma e Përfaqësuesve, Senati rinovohet pjesërisht çdo dy vjet.
Për të siguruar shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve nevojiten 218 vende, ndërsa në Senat 51. Aktualisht, republikanët kontrollojnë të dyja dhomat, me 219 deputetë dhe 53 senatorë, kundrejt 214 deputetëve demokratë dhe 45 senatorëve demokratë, si dhe dy të pavarurve.
Demokratëve u duhen edhe tre vende për të marrë kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve dhe katër vende në Senat.
Çfarë mund të ndodhë pas votimit
Nëse një parti arrin të fitojë shumicën në të dyja dhomat, do të kontrollojë Kongresin për dy vitet e ardhshme. Kjo do t’i japë mundësinë të çojë përpara programin e saj dhe të bllokojë nismat e kundërshtarëve.
Partia fituese do të ushtrojë pushtetin ligjvënës dhe, nëse fitojnë demokratët, do të mund të forcojë mbikëqyrjen parlamentare ndaj veprimtarisë së presidentit Trump.
Nëse Kongresi mbetet në duart e republikanëve, Trump do ta ketë më të lehtë të përmbushë premtimet elektorale dhe të miratojë ligje apo reforma, për të cilat nevojitet vota e të dyja dhomave.
Nëse demokratët marrin kontrollin qoftë edhe të njërës dhomë, do të krijohet ajo që në sistemin amerikan quhet “qeverisje e ndarë”: presidenti dhe të paktën njëra nga dhomat e Kongresit do t’u përkasin partive të ndryshme.
Në një situatë të tillë, miratimi i ligjeve të reja do të bëhej më i vështirë për Trumpin dhe do të kërkonte negociata me kundërshtarët politikë.
.jpeg)
Demokratët kanë ruajtur një tjetër mandat në Dhomën e Përfaqësuesve në SHBA. Sipas projeksionit të Associated Press (AP), kongresmenja demokrate Lois Frankel është rizgjedhur në distriktin e 23-të të Floridës, duke mundur kandidaten republikane Deborah Adeyemi.
Me rreth 65% të votave të numëruara, Frankel kryesonte me 71.2%, kundrejt 28.8% të rivales së saj. AP e shpalli fituese në orën 19:34 me orën lokale të bregut lindor amerikan.
Fitorja e Frankel konfirmon mbajtjen e këtij mandati nga demokratët, por nuk u shton atyre një vend të ri në Kongres. Gara për kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve vijon, ndërsa numërimi i votave vazhdon në shtetet e tjera.
.jpeg)
Presidenti amerikan Donald Trump ka vijuar sulmet ndaj televizionit Fox News, duke e akuzuar se po i kushton shumë hapësirë demokratëve dhe se për këtë arsye po humbet audiencën.
“Audienca e Fox News ka rënë ndjeshëm, me 27%, sepse po shpenzojnë shumë kohë duke mbuluar demokratët e fiksuar pas Trump! Problemi janë ata, jo unë. Shifrat e mia janë më të mira se kurrë”, shkroi presidenti në Truth Social.
Megjithatë, sipas një sondazhi të New York Times/Siena College të publikuar në tetor, mbështetja për Trump kishte rënë në 36%, niveli më i ulët i regjistruar nga ky sondazh. Pakënaqësitë e të anketuarve lidheshin kryesisht me menaxhimin e ekonomisë, koston e jetesës dhe luftën me Iranin.
Trump ka sulmuar sërish edhe komentatoren e Fox News, Jessica Tarlov, të cilën më herët e kishte quajtur “budallaqe si guri”. Gjatë transmetimit, moderatori Greg Gutfeld lexoi një mesazh që dukej se i ishte dërguar nga presidenti: “Thuaji Tarlov, që është më e keqja, se çmimet e karburantit janë më të ulëta se në kohën e Bidenit dhe Obamës dhe se ata e lejuan Iranin të kishte bombën bërthamore”.

Senatori demokrat Jon Ossoff është rizgjedhur në Xhorxhia, duke siguruar një tjetër mandat në Senatin amerikan, sipas projeksionit të CNN.
Ossoff ishte i vetmi senator demokrat në detyrë që në këto zgjedhje mbronte mandatin në një shtet ku Donald Trump kishte fituar zgjedhjet presidenciale të vitit 2024.
Fitorja i mundëson demokratëve të ruajnë një vend të rëndësishëm në Senat. Ossoff konsiderohet gjithashtu një nga emrat e mundshëm të Partisë Demokratike për garën presidenciale të vitit 2028.
.jpeg)
Demokratët kanë ruajtur një tjetër vend në Dhomën e Përfaqësuesve të Kongresit amerikan. Sipas projeksionit të CNN, Debbie Wasserman Schultz është rizgjedhur për herë të 12-të si përfaqësuese e Floridës, duke mposhtur republikanin Brent Andersen.
Fitorja i siguron Schultz një tjetër mandat dyvjeçar në Kongres, por nuk përbën një vend shtesë për demokratët, pasi ajo mbante të njëjtin mandat edhe përpara zgjedhjeve.
.jpeg)
Senatori demokrat Mark Warner ka siguruar një mandat të katërt në Senatin amerikan, duke mposhtur republikanin Bert Mizusawa në Virxhinia, sipas projeksionit të CNN.
Warner, i cili mban postin e nënkryetarit të Komisionit të Inteligjencës në Senat, ishte një nga tetë ligjvënësit amerikanë të informuar për nisjen e luftës kundër Iranit, të cilën e ka kritikuar duke e cilësuar si një “luftë të zgjedhur” nga presidenti Donald Trump.
Përpara se të zgjidhej senator në vitin 2008, Warner kishte shërbyer si guvernatori i 69-të i Virxhinias.
Presidenti amerikan Donald Trump ka paralajmëruar se është gati të përdorë kompetencat e tij presidenciale nëse demokratët fitojnë kontrollin e Kongresit në zgjedhjet e mesmandatit.
“Jam gati të përdor kompetenca të frikshme nëse demokratët marrin kontrollin”, është shprehur Trump.
Edhe gjatë ditëve të fundit, presidenti kishte paralajmëruar se, në rast të fitores së demokratëve, do të shndërrohej në “Mister Veto”, duke përdorur të drejtën e vetos presidenciale për të bllokuar nismat e tyre ligjore në Dhomën e Përfaqësuesve dhe Senat.
Qendrat e votimit janë mbyllur në Xhorxhia, Indiana, Kentaki, Karolinën e Jugut dhe Virxhinia, ndërsa ka përfunduar votimi edhe në disa zona të Floridës dhe Nju Hempshajërit. Numërimi i votave ka nisur, me vëmendjen të përqendruar te disa gara që mund të ndikojnë në kontrollin e Kongresit amerikan.
Në Xhorxhia, senatori demokrat Jon Ossoff përballet me republikanin Mike Collins. Sipas mesatares së sondazheve të cituara nga Corriere della Sera, Ossoff kryeson me 8.6 pikë përqindjeje. Shumë më e ngushtë paraqitet gara për guvernator, ku demokratja Keisha Lance Bottoms ka një epërsi prej vetëm 0.3 pikësh ndaj republikanit Rick Jackson.
Në Karolinën e Jugut, republikania Darlene Graham përballet me demokraten Annie Andrews, me një diferencë prej 2.6 pikësh në sondazhe. Ndërkohë, në Virxhinia, vëmendja është përqendruar te tri zona zgjedhore për Dhomën e Përfaqësuesve, VA-01, VA-02 dhe VA-05, ku demokratët po sfidojnë republikanët që mbajnë aktualisht mandatet.
Rezultatet e para pritet të publikohen gjatë natës, ndërsa në garat më të ngushta numërimi mund të zgjasë deri në orët e mëngjesit, sipas orës shqiptare.
Pjesëmarrje rekord në zgjedhjet e mesmandatit në Minneapolis të Shteteve të Bashkuara. Sipas zyrës zgjedhore të qytetit, deri në mesditën e së martës, me orën lokale, kishin votuar 139.774 qytetarë, përfshirë ata që kishin hedhur votën para kohe.
Kjo shifër ka tejkaluar rekordin e vendosur në vitin 2018 për zgjedhjet jo presidenciale, edhe pse në momentin e raportimit mbeteshin ende disa orë deri në mbylljen e qendrave të votimit.
Shtetet e Bashkuara nuk kanë plane të menjëhershme për të ndërmarrë sulme ndaj Iranit. Kështu ka deklaruar presidenti amerikan Donald Trump në një intervistë për Financial Times, duke hedhur poshtë spekulimet se po përgatitet të përshkallëzojë konfliktin me Teheranin pas zgjedhjeve të mesmandatit.
Në një bisedë telefonike gjashtëminutëshe me gazetën britanike, Trump u shpreh i kënaqur me situatën aktuale të përballjes me Iranin, megjithëse la të hapur mundësinë e veprimeve të tjera ushtarake nëse do të ishte e nevojshme.
“Duket se po marrim gjithçka që duam”, deklaroi presidenti amerikan, duke sinjalizuar se për momentin nuk sheh nevojë për një ofensivë të re kundër Republikës Islamike.
Vetëm pak orë përpara publikimit të rezultateve të para të zgjedhjeve të mesmandatit në SHBA, presidenti Donald Trump ka nënshkruar një dekret shpalljeje, duke e cilësuar periudhën 1-7 nëntor si “Javën e Anti Komunizmit”.
“Shpall javën nga 1 deri më 7 nëntor si Javën Antikomuniste. U bëj thirrje të gjithë amerikanëve të qëndrojnë të palëkundur në mbrojtje kundër çdo kërcënimi ndaj mënyrës amerikane të jetesës dhe të mbrojnë flakën tonë të ndezur të lirisë nga errësira e komunizmit”, thuhet në dokumentin e nënshkruar nga presidenti amerikan.
Në një postim në Truth Social ai tha se Amerika nuk do jetë kurrë komuniste.
Në Shtetet e Bashkuara ka nisur mbyllja graduale e qendrave të votimit për zgjedhjet e mesmandatit, të cilat do të përcaktojnë kontrollin e Kongresit për dy vitet e ardhshme. Për shkak të zonave të ndryshme kohore, procesi do të vijojë gjatë gjithë natës, ndërsa rezultatet e para do të publikohen pas nisjes së numërimit.
Më poshtë janë oraret e mbylljes së qendrave të votimit, sipas orës shqiptare, për të mërkurën, 4 nëntor:
00:00 – Shumica e qendrave të para në Indiana dhe Kentaki.
01:00 – Qendrat e para në Florida, pjesa tjetër e Indianës dhe Kentakit, si dhe Xhorxhia, Karolina e Jugut dhe Virxhinia.
01:30 – Karolina e Veriut, Ohajo, Virxhinia Perëndimore dhe disa qendra të tjera në Florida e Nju Hempshajër.
02:00 – Alabama, Konektikati, Delaueri, Ilinoisi, Meini, Merilendi, Masaçusetsi, Misisipi, Misuri, Nju Hempshajëri, Nju Xhersi, Oklahoma, Pensilvania, Rod Ajlendi, Tenesi dhe Uashingtoni, si dhe qendrat e fundit në Florida dhe Nju Hempshajër.
02:30 – Arkansasi.
03:00 – Arizona, Kolorado, Ajova, Kansasi, Luiziana, Miçigani, Minesota, Nebraska, Nju Meksiko, Nju Jorku, Dakota e Veriut, Dakota e Jugut, Teksasi, Uiskonsini dhe Uajomingu.
04:00 – Montana, Nevada dhe Juta.
05:00 – Kalifornia, Ajdaho, Oregoni dhe shteti i Uashingtonit.
06:00 – Havai.
07:00 – Alaska.
.jpeg)
Presidenti amerikan Donald Trump do të ndjekë rezultatet e zgjedhjeve të mesmandatit në një aktivitet të organizuar në Shtëpinë e Bardhë.
Takimi, i njohur në SHBA si “watch party”, do të zhvillohet në Sallën Lindore (East Room) të rezidencës presidenciale, ku Trump do të presë të ftuar për të ndjekur së bashku rezultatet e votimit që do të përcaktojë kontrollin e Kongresit për dy vitet e ardhshme.

Në Shtetet e Bashkuara ka nisur mbyllja e qendrave të votimit për zgjedhjet e mesmandatit. Në mesnatë, sipas orës shqiptare, votimi përfundoi në disa zona të Indianës dhe Kentakit, ndërsa në orën 01:00 pritet të mbyllen qendrat edhe në Florida, Xhorxhia, Karolinën e Jugut dhe Virxhinia.
Në Indiana janë mbyllur qendrat për zgjedhjet e Dhomës së Përfaqësuesve në distriktet 3, 5, 6, 7 dhe 9, ndërsa në Kentaki në distriktet 3, 4, 5 dhe 6. Në distriktet e tjera të këtyre dy shteteve, si dhe për zgjedhjet në nivel shtetëror, votimi do të përfundojë në orën 01:00.
Një nga garat e para që pritet të tërheqë vëmendjen është ajo në distriktin e gjashtë të Kentakit, ku republikani Ralph Alvarado përballet me demokratin Zach Dembo për vendin e lënë nga kongresmeni republikan Andy Barr. Dy vjet më parë, Donald Trump e fitoi këtë zonë me një diferencë prej 15 pikësh, ndërsa këtë herë gara konsiderohet e ngushtë.
Në pjesën më të madhe të Shteteve të Bashkuara, qendrat e votimit do të qëndrojnë të hapura edhe për disa orë, ndërsa numërimi dhe publikimi i rezultateve do të vijojnë gradualisht gjatë natës.
Presidenti amerikan Donald Trump ka sulmuar publikisht komentatoren politike të Fox News, Jessica Tarlov, ndërsa po ndiqte mbulimin e zgjedhjeve të mesmandatit në SHBA.
“Po ndjek rezultatet paraprake në Fox News, por nuk e duroj dot zërin e Jessica Tarlov. Është budallaqe si guri, por është zëri i saj që më bezdis”, shkroi Trump në rrjetet sociale.
“Duhet të kaloj në një kanal tjetër derisa ajo humbëse të largohet nga ekrani. Do të rikthehem më vonë!”, shtoi presidenti amerikan.

.jpeg)
Sipas CNN, që citon një burim të brendshëm, disa prej bashkëpunëtorëve të Trump shohin shenja shprese në të dhënat që disponojnë për pjesëmarrjen në votime.
Të dhënat e brendshme të ekipit presidencial tregojnë se një numër i konsiderueshëm votuesish republikanë kanë marrë pjesë në votimin e së martës, duke nxitur optimizëm për rezultatin e zgjedhjeve.
Në Minneapolis, qytetin amerikan të shënjuar nga operacionet e agjentëve të emigracionit (ICE), zgjedhjet e mesmandatit janë zhvilluar pa incidente, pavarësisht shqetësimeve të banorëve për ndërhyrje të mundshme federale. Votimi është zhvilluar gjatë një dite me shi, ndërsa qendrat zgjedhore pritet të mbyllen në orën 03:00 të mëngjesit, sipas orës shqiptare.
Shqetësimet lidhen me paralajmërimet e presidentit Donald Trump për përdorimin e agjentëve federalë, pasi ai ka pretenduar se në listat zgjedhore gjenden edhe persona që nuk janë shtetas amerikanë.
Sipas të dhënave të cituara nga New York Times, në zgjedhjet e vitit 2024, Minesota publikoi 56% të rezultateve zyrtare deri në mesnatë sipas orës amerikane, ndërsa pjesa tjetër u bë e disponueshme deri në mesditën e ardhshme.
Vëmendja këtë herë është përqendruar te gara për guvernatorin, ku përballen republikania Lisa Demuth dhe demokratja Amy Klobuchar. Minesota është një nga 17 shtetet amerikane që nuk kanë pasur ende një grua në krye të qeverisjes shtetërore.
Një tjetër përballje e rëndësishme është ajo për Senatin, mes demokrates Peggy Flanagan, aktualisht zëvendësguvernatore, dhe Michele Tafoya. Sondazhet e cituara në raportim e nxjerrin Flanagan përpara rivales së saj.
.jpeg)
Pakënaqësia me koston e lartë të jetesës, gjendjen e ekonomisë dhe administratën e Donald Trump po shoqëron zgjedhjet e mesmandatit në Shtetet e Bashkuara. Dy sondazhe të realizuara nga Associated Press dhe CNN tregojnë se një pjesë e madhe e amerikanëve janë të pakënaqur me drejtimin që ka marrë vendi.
Sipas sondazhit të Associated Press, rritja e çmimeve dhe korrupsioni në qeveri janë ndër shqetësimet kryesore të votuesve. Gjashtë në dhjetë amerikanë të anketuar mendojnë se kostoja e lartë e jetesës lidhet më shumë me politikat e presidentit Trump sesa me faktorë jashtë kontrollit të tij. Po kaq shprehen kundër mënyrës se si ai po drejton presidencën.
Pakënaqësia konfirmohet edhe nga sondazhi kombëtar i CNN, i zhvilluar me rastin e zgjedhjeve. Rreth tre në katër votues deklarojnë se janë të pakënaqur ose shumë të pakënaqur me mënyrën se si po shkojnë gjërat në Shtetet e Bashkuara, ndërsa pothuajse katër në dhjetë e përshkruajnë veten si të zemëruar.
Sipas CNN, rreth 60% e votuesve nuk e miratojnë punën e presidentit Trump. Mes tyre është edhe afërsisht një në pesë votues që e kishin mbështetur atë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2024.
Vlerësimet negative për presidentin dhe pakënaqësia me kushtet ekonomike dalin kështu si dy nga shqetësimet kryesore të amerikanëve në një moment kur vota e tyre do të përcaktojë se cila parti do të kontrollojë Kongresin për dy vitet e ardhshme.
Në mesnatë, sipas orës shqiptare, pritet të mbyllen qendrat e para të votimit në zgjedhjet e mesmandatit në Shtetet e Bashkuara, duke i hapur rrugën numërimit të votave dhe publikimit të rezultateve të para.
Procesi do të përfundojë fillimisht në disa zona të Indianës dhe Kentakit, dy shtete ku republikanët kanë tradicionalisht mbështetje të fortë.
Pikërisht për këtë arsye, rezultatet e para do të ndiqen me vëmendje. Nëse demokratët arrijnë të zhvillojnë një garë të ngushtë edhe në këto zona, kjo mund të jetë një sinjal shqetësues për Partinë Republikane të presidentit Donald Trump.
Zgjedhjet e mesmandatit në Shtetet e Bashkuara kanë shkuar deri në hapësirë. Tre astronautë amerikanë të NASA-s kanë ushtruar të drejtën e votës nga Stacioni Hapësinor Ndërkombëtar, duke marrë pjesë në procesin zgjedhor edhe pse ndodhen qindra kilometra larg Tokës.
Astronauti Anil Menon e ka kthyer përkohësisht kabinën ku fle në një qendër votimi. Në një video të publikuar në rrjetin social X, ai tregoi se kishte përdorur kompjuterin e tij për të plotësuar dhe dërguar elektronikisht fletën e votimit në qarkun Harris të Teksasit.
Nga hapësira kanë votuar edhe dy kolegët e tij, Jessica Watkins dhe Luke Delaney.
Qarku Harris është vendndodhja e Qendrës Hapësinore Johnson të NASA-s, ku ndodhet edhe qendra e kontrollit të misioneve.
Votimi nga hapësira nuk është një risi për astronautët amerikanë. Ata e kanë këtë mundësi që prej vitit 1997, falë një procedure që u lejon të marrin pjesë në zgjedhje edhe gjatë misioneve jashtë Tokës.
Fletët e votimit do të vendosen në këtë cantë
Një gabim në programimin e makinerive të votimit ka shkaktuar probleme në 332 qendra votimi në qarkun Westchester të Nju Jorkut.
Makineritë nuk po arrijnë të lexojnë fletët e votimit dhe, sipas kreut të qarkut, Ken Jenkins, problemi mund të prekë deri në 250 mijë fletë.
Për të mos ndërprerë votimin, qytetarët po i hedhin votat në fletë të posaçme, të cilat ruhen për t'u skanuar dhe numëruar pas mbylljes së qendrave, në orën 03:00 të mëngjesit të së mërkurës me orën shqiptare. Autoritetet sqaruan se votat nuk do të numërohen me dorë.
Aleatët e presidentit amerikan kanë përdorur defektin për të akuzuar demokratët po përpiqen të manipulojnë votimin.

Elon Musk u ka bërë thirrje amerikanëve të votojnë për Partinë Republikane në zgjedhjet e mesmandatit që po mbahen sot në SHBA. “Votoni të kuqen sot!”, shkroi miliarderi në rrjetin social X, duke iu referuar ngjyrës së kuqe, që tradicionalisht përfaqëson republikanët.
Vote red today!
— Elon Musk (@elonmusk) November 3, 2026
Donald Trump ka përshëndetur fitoren e republikanëve në Guam, një ishull në Oqeanin Paqësor, në lindje të Filipineve, që është territor i Shteteve të Bashkuara.
Presidenti amerikan shkroi në Truth Social se republikanët kanë fituar postin e guvernatorit me Tony Ada dhe kanë siguruar shumicën në Senatin lokal, megjithëse Guami është konsideruar prej kohësh një territor me mbështetje të fortë për demokratët.
“Urime Tony Ada! Shpresojmë që ky të jetë një sinjal për atë që do të ndodhë!”, shkroi Trump, duke iu referuar zgjedhjeve të mesmandatit në SHBA.
Presidenti amerikan Donald Trump ka njoftuar se synon të ndërpresë deri në fund të vitit ndihmën ushtarake prej afro 4 miliardë dollarësh në vit për Izraelin, duke e lidhur vendimin me kritikat e demokratëve gjatë fushatës zgjedhore.
Në një intervistë për Fox News, Trump deklaroi se kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu i kishte thënë se Izraeli nuk kishte nevojë për këtë ndihmë.
“Pse duhet të durojmë sulmet e njerëzve të çmendur si Abdul El-Sayed, kur ata nuk kanë nevojë për ndihmën?”, u shpreh ai, duke iu referuar kandidatit demokrat për Senatin në Miçigan.
Sipas CNN, çështja e ndihmës për Izraelin është kthyer në temë kryesore të kësaj gare, ndërsa Trump la të kuptohej se ndërprerja e saj synon t'u heqë demokratëve një argument politik.
Presidenti tha se Izraeli mund të vazhdojë të blejë vetë pajisje ushtarake amerikane dhe se kursimet do të përdoren për të synuar balancimin e buxhetit federal. Megjithatë, vendimet për ndarjen e fondeve publike i takojnë Kongresit, jo presidentit.

Presidenti Donald Trump e ka mbyllur fushatën për zgjedhjet e mesmandatit me një mesazh optimist për gjendjen e Shteteve të Bashkuara, duke deklaruar se Amerika është rikthyer në një vend të fuqishëm dhe të respektuar në botë.
“Duhet ta mbajmë Amerikën të madhe. Tani jemi të mëdhenj. Dy vite më parë ishim në gjendje të tmerrshme, ishim objekt talljeje në të gjithë botën. Udhëheqësit e vendeve të tjera as nuk na merrnin seriozisht. Mendonin se ishim budallenj. Sot Amerika është në kulmin e saj”, deklaroi Trump për Fox & Friends.
Presidenti përmendi edhe rënien me 10 dollarë të çmimit të naftës, duke pretenduar se SHBA ka kontroll të plotë mbi Ngushticën e Hormuzit përmes bllokadës detare.
Megjithatë, sondazhet tregojnë një panoramë tjetër. Sipas CNN, vetëm 34% e amerikanëve e miratojnë punën e Trump, ndërsa 73% shprehen të pakënaqur me mënyrën se si ai po menaxhon ekonominë.
Pavarësisht deklaratave të presidentit për uljen e çmimit të naftës, benzina ka arritur në 4.15 dollarë për gallon, niveli më i lartë i regjistruar në një ditë zgjedhjesh, sipas të dhënave të AAA.
Një nga betejat më të forta për kontrollin e Kongresit amerikan po zhvillohet vetëm pak kilometra larg Nju Jorkut, ku republikanët rrezikojnë të humbasin një vend të rëndësishëm në Dhomën e Përfaqësuesve. Bëhet fjalë për distriktin e 17-të, ku në zgjedhjet presidenciale të vitit 2024 fitoi demokratja Kamala Harris.
Sipas CNN, deputeti republikan Mike Lawler, i zgjedhur në vitin 2022, po përballet me demokraten Cait Conley, ish-zyrtare e administratës Biden dhe veterane e ushtrisë amerikane.
Lawler ka kërkuar të fitojë mbështetje edhe përtej elektoratit republikan, duke u distancuar në disa raste nga Donald Trump dhe duke siguruar mbështetjen e disa politikanëve demokratë. Nga ana tjetër, Conley e ka përqendruar fushatën te përvoja e saj në sigurinë kombëtare dhe premtimet për uljen e kostos së jetesës.
Rëndësia e kësaj gare ka bërë që të shpenzohen mbi 40 milionë dollarë për reklama elektorale, ndërsa në fushatë janë angazhuar figura të njohura të të dyja partive.
Për banorët e zonës, shqetësimi kryesor mbetet ekonomia, veçanërisht rritja e çmimeve të karburanteve, ushqimeve dhe banesave.

Administrata Trump ka dërguar rreth 1 mijë vëzhgues federalë në 126 qarqe dhe qytete të SHBA-së, kryesisht në zona që tradicionalisht mbështesin demokratët, raporton CNN.
Vendimi ka ngritur shqetësime mes demokratëve, të cilët druhen se vëzhguesit mund të përdoren për të kontestuar rezultatet zgjedhore.
Departamenti i Drejtësisë sqaron se vëzhguesit janë juristë, jo policë, dhe kanë për detyrë të monitorojnë shkeljet e mundshme pa ndërhyrë në votim. Në zgjedhjet e vitit 2022, administrata Biden kishte dërguar më pak se 400 vëzhgues.

Elon Musk ka shprehur shqetësimin se një fitore e plotë e demokratëve në zgjedhjet presidenciale dhe ato për Kongresin në vitin 2028 mund të sjellë ndryshime të mëdha politike në Shtetet e Bashkuara.
“Shqetësimi im më i madh është se nëse demokratët fitojnë Dhomën e Përfaqësuesve, Senatin dhe Presidencën në vitin 2028, ata do ta bëjnë Uashingtonin dhe Porto Rikon shtete për të siguruar një shumicë të fortë në Senat”, shkroi Musk në platformën X më 30 tetor, ndërkohë që sot u bëri thirrje ndjekësve të tij të votojnë për republikanët.
Ai pretendon gjithashtu se demokratët do të hapnin kufijtë dhe do t'u jepnin status ligjor të gjithë emigrantëve që jetojnë ilegalisht në SHBA, për të konsoliduar mbështetjen e tyre politike.

Mbi 100 ish-astronautë të NASA-s u kanë bërë thirrje amerikanëve të votojnë në zgjedhjet e mesmandatit, duke paralajmëruar për rreziqet që kërcënojnë demokracinë dhe parimet kushtetuese të vendit.
Në një letër të hapur, të publikuar nga organizata Astronauts for America, ata theksojnë se asnjë president apo agjenci federale nuk ka të drejtë të marrë kontrollin e administrimit të zgjedhjeve në shtetet amerikane.
“Çdo amerikan duhet të ketë besim se zgjedhjet zhvillohen sipas ligjit, se çdo votë e ligjshme numërohet dhe se rezultatet përcaktohen nga procedurat ligjore, jo nga presioni politik apo ushtrimi arbitrar i pushtetit”, thuhet në letër.
Mes nënshkruesve janë figura të njohura si Scott Kelly, Rusty Schweickart, Charles Bolden, Bill Nelson dhe Ellen Ochoa. Mesazhi përbën edhe një kritikë të tërthortë ndaj përpjekjeve të Donald Trump për të ndërhyrë në administrimin e zgjedhjeve.
Presidenti amerikan Donald Trump i ka cilësuar zgjedhjet e mesmandatit që po zhvillohen në Shtetet e Bashkuara si më të rëndësishmet në historinë e vendit.
Në një intervistë për Fox News, Trump u shpreh se administrata e tij ia ka dalë ta bëjë Amerikën sërish të madhe, duke sugjeruar se slogani i tij i njohur, “Make America Great Again”, mund të mos jetë më i nevojshëm.
“Më lejoni t'ju them se këto janë zgjedhjet më të rëndësishme, sepse ne ia kemi dalë vërtet ta bëjmë Amerikën sërish të madhe”, deklaroi presidenti amerikan.
Sipas Trump, Shtetet e Bashkuara janë tashmë një vend i fuqishëm dhe i respektuar në mbarë botën, ndaj edhe slogani që e shoqëroi gjatë fushatave të tij elektorale mund të konsiderohet i tejkaluar.
“Nëse njerëzit në Shtetet e Bashkuara do të lodheshin ndonjëherë prej meje, do të shpërngulesha në Izrael dhe do të bëhesha kryeministër”, u shpreh Trump.

Mbi 2.4 milionë amerikanë kanë votuar përpara ditës zyrtare të zgjedhjeve në Miçigan, një nga shtetet ku zhvillohet një prej garave më të rëndësishme për kontrollin e Senatit amerikan.
Rreth 1.7 milionë votues kanë dorëzuar fletët e votimit me postë, ndërsa mbi 750 mijë të tjerë kanë votuar fizikisht në qendrat e hapura për votimin e parakohshëm.
Kjo do të thotë se rreth 33% e 7.4 milionë votuesve të regjistruar në Miçigan e kanë ushtruar të drejtën e votës përpara hapjes së qendrave të votimit këtë të martë, në orën 07:00 sipas kohës lokale.
Për krahasim, në zgjedhjet e mesmandatit të vitit 2022, deri në ditën e zgjedhjeve ishin dorëzuar 1.5 milionë vota me postë, ndërsa numri përfundimtar arriti në 1.8 milionë, nga gjithsej 4.5 milionë vota të hedhura.
Në atë kohë, Miçigani nuk e ofronte ende mundësinë e votimit të parakohshëm fizik, e cila u miratua përmes një referendumi në vitin 2022.
Ndërkohë, në zgjedhjet presidenciale të vitit 2024, rreth 1.2 milionë qytetarë votuan paraprakisht në qendrat e votimit dhe 2.2 milionë me postë, duke e çuar në 3.4 milionë numrin e përgjithshëm të votuesve që kishin votuar përpara ditës së zgjedhjeve.
Pjesëmarrja më e lartë në vitin 2024 lidhet edhe me faktin se zgjedhjet presidenciale zakonisht tërheqin më shumë votues sesa zgjedhjet e mesmandatit.

Nga Nju Jorku deri në Alaskë, mbyllja e qendrave të votimit dhe numërimi i votave për zgjedhjet e mesmandatit, në të cilat zgjidhen edhe drejtues për shumë poste vendore në shtete të ndryshme, do të zhvillohen përgjatë gjashtë brezave orarë. Qendrat e para të votimit që do të mbyllen do të jenë ato në lindje të vendit, në Kentaki dhe Indiana, në mesnatë sipas orës italiane (në vijim, të gjitha oraret do të jenë sipas orës shqiptare, shën. red.), dy shtete që vështirë se do të japin tregues vendimtarë.
Një orë më vonë do të fillojnë të mbërrijnë rezultatet e para nga Florida, Xhorxhia, Karolina e Jugut, Virxhinia dhe Vermonti. Karolina e Jugut është një nga garat që duhen ndjekur me vëmendje për kontrollin e Senatit. Në orën 01:30 do të jetë radha e Ohajos, ku zhvillohet një nga përballjet më të rëndësishme, Virxhinias Perëndimore dhe Karolinës së Veriut.
Mes orës 02:00 dhe 03:00, nata zgjedhore do të hyjë në fazën e saj më intensive, me mbylljen e qendrave të votimit në shtete kyçe si Miçigani, Meini, Kansasi dhe Ajova, si edhe në Nju Jork, Uiskonsin, Ilinois dhe Minesota. Një orë më vonë do të fillojnë të mbërrijnë të dhënat nga Arizona, Montana dhe Kolorado. Pra, do të jetë rreth orës 04:00 kur disa prej garave mund të japin tregues të rëndësishëm.
Nëse tabloja ende nuk do të jetë e qartë apo domethënëse, do të duhet të pritet deri në orën 06:00, kur mbyllen qendrat e votimit në bregun perëndimor, në shtete si Kalifornia.
Etapa e fundit do të jetë në orën 07:00, me mbylljen e qendrave të votimit në Alaskë, një shtet që mund të rezultojë vendimtar për Senatin, nëse gara nuk do të jetë përcaktuar tashmë diku tjetër.
.jpeg)
Moti i keq po krijon probleme në zgjedhjet e mesmandatit në SHBA. Në Florida, për shkak të rrezikut nga përmbytjet, autoritetet njoftuan zhvendosjen urgjente të 18 qendrave të votimit në shtatë qarqe, vetëm 45 minuta përpara hapjes së tyre. Probleme janë regjistruar edhe në Arizona, ku disa qendra votimi u mbyllën përkohësisht, ndërsa në Utah, votuesit e qarkut San Juan janë lejuar të kërkojnë dhe dorëzojnë fletët e votimit në mënyrë elektronike. Në Kolorado është zhvendosur një qendër votimi, ndërsa reshjet po prekin edhe Iowa, Kansas dhe Teksasin. Gjatë ditës priten stuhi edhe në shtete të tjera, me rrezik për erëra të forta dhe tornado të shkurtra në disa zona.
.jpeg)
Presidenti amerikan Donald Trump ka akuzuar demokratët për mashtrim elektoral në Alaskë, pasi u zbulua se bashkëpunëtorë të kandidates demokrate për Senatin, Mary Peltola, kishin rekrutuar një kandidat me të njëjtin emër si senatori republikan Dan Sullivan. “Ajo që ndodhi në Alaskë është turp. Është mashtrim elektoral”, deklaroi Trump për Fox News, duke shtuar: “Nëse republikanët votojnë, do të fitojmë me një diferencë dërrmuese”. Sipas New York Times, bashkëpunëtorët e Peltolës kishin rekrutuar Dan J. Sullivan Jr., një mësues në pension, për të krijuar konfuzion mes votuesve, ndërsa kandidatja demokrate ishte në dijeni. Megjithëse kjo praktikë nuk është e paligjshme, Trump ka kërkuar heqjen e Peltolës dhe kandidatit tjetër nga fletët e votimit dhe ndjekjen e tyre ligjore. Guvernatori republikan i Alaskës, Mike Dunleavy, ka urdhëruar nisjen e një hetimi.
Probleme teknike me skanerët e fletëve të votimit kanë shkaktuar vonesa në qendrat e votimit në qarkun Westchester të Nju Jorkut, ku po zhvillohet një garë e ngushtë mes republikanit Mike Lawler dhe demokrates Cait Conley për Dhomën e Përfaqësuesve.
Prokurorja e Përgjithshme e Nju Jorkut, Letitia James, njoftoi se autoritetet po punojnë për zgjidhjen e problemit, duke siguruar qytetarët se votat e tyre do të numërohen.
“Votuesit mund të vazhdojnë të plotësojnë dhe dorëzojnë fletët e votimit në mënyrë të sigurt. Votat tuaja do të numërohen”, deklaroi ajo.
Ndërkohë, të dy kandidatët u kanë bërë thirrje qytetarëve të qëndrojnë në radhë dhe të mos largohen pa votuar.
-
Shkatrroi USA dhe boten , vec te pasurojn veten e familjen , presidenti me keq i gjith kohrave .
Përgjigju -
Demonokraci
Përgjigju -
Sa mire do besh te shkosh atje mbase e gjen veten si Epshtain. Ti vetem per ata punon jo per Amerikanet.
Përgjigju -
Jane lodhur prej kohesh. Shiko sondazhet dhe kollodokun qe do marresh sot ...
Përgjigju








Komente
Komento