“Sa më shumë ndotje, aq më mirë për ne qytetarët…”, situatë alarmante në Gjanicë, banorët kërkojnë zgjidhje
Ndotja e lumit Gjanica prej disa ditësh është në nivele alarmante. Kjo situatë shumëvjeçare duhet të marrë fund, janë shprehur njëzëri qytetarët fierakë, duke dënuar neglizhencën ndër vite të institucioneve përgjegjëse për zgjidhjen e kësaj problematike.
Ata theksojnë se kjo ndotje e rëndë zbeh edhe investimin prej miliona eurosh, të realizuar në kuadër të projektit të Rilindjes Urbane për rikualifikimin e qendrës së qytetit.
“Gjanica ka pasur probleme që në ’78. Na vjen keq kur e shikojmë kështu”, thotë një qytetar.
“Ne u mësuam me aromën e Gjanicës. Me ndotjen jemi mësuar ne, sa më shumë ndotje, aq më mirë për ne qytetarët, se na shtohen sëmundjet”, shprehet me nota ironie një tjetër qytetar.
Ashtu si çdo vit në këtë periudhë, shkaktarët kryesorë të ndotjes konsiderohen fabrikat e vajit dhe kompanitë e naftës, të cilat dyshohet se, nën petkun e fabrikave të përpunimit të ullirit, shfrytëzojnë rastin për të kryer shkarkime të pakontrolluara hidrokarburesh në lumë.
As denoncimet e panumërta dhe as gjobat me të cilat janë përballur kompanitë e naftës që operojnë në zonë nuk e kanë përmirësuar situatën. Përkundrazi, çdo vit problemi përsëritet në nivele edhe më shqetësuese, thotë ambientalisti Qani Rredhi.
Ndërkohë, sipas informacionit të marrë pranë ARM-së, fabrikat që operojnë në shtratin e lumit Gjanica nuk janë të pajisura me leje mjedisore të tipit B. Ato kanë qenë të pajisura me leje mjedisore të tipit C deri në vitin 2020, kur hyri në fuqi ligji i ri, i cili i detyron pronarët e fabrikave të funksionojnë me gropa septike.
Pronarët e tyre pohojnë se janë ankuar për këtë situatë, por deri më sot nuk kanë gjetur asnjë zgjidhje nga Ministria e Mjedisit.




