Shtetet e Bashkuara njoftuan se përfaqësuesit ukrainas e rusë takohen më 10 dhe 11 nëntor në Abu Dabi, për bisedime që synojnë t’i japin fund luftës në Ukrainë.
Uashingtoni shpreson që armëpushimi i përkohshëm i javës së kaluar, t’i hapë rrugë përparimit në negociata.
I dërguari i posaçëm amerikan, Steve Witkoff, tha se Shtetet e Bashkuara do të ndërmjetësojnë bisedimet, me fokus masat për garantimin e sigurisë pas përfundimit të luftës, uljen e tensioneve, ndihmën humanitare dhe hapat drejt paqes.
Sipas një zyrtari të lartë, Uashingtoni pritet të përfaqësohet nga Witkoff dhe Jared Kushner, të cilët udhëheqin përpjekjet amerikane për negociata.
Raundi i fundit i bisedimeve trepalëshe, me ndërmjetësimin amerikan, u mbajt në shkurt. Më pas, procesi u ndërpre, për shkak të luftës që përfshiu SHBA-të, Izraelin dhe Iranin.
Shpresat për rifillimin e negociatave u rritën pas një armëpushimi të përkohshëm, të ndërmjetësuar nga Amerika, javën e kaluar.
Kjo mundësoi dërgimin e ndihmave humanitare në qytetin Oleshki, në jug të Ukrainës, që është nën pushtimin rus. Banorëve iu dha mundësia të largoheshin nga qyteti, nëse dëshironin.
Por, pavarësisht përpjekjeve diplomatike, sulmet mes Rusisë dhe Ukrainës kanë vazhduar. Ato ruse, sot plagosën të paktën 62 persona, në një institucion shëndetësor në Harkiv dhe dëmtuan infrastrukturën energjetike në të tjera pjesë të Ukrainës.
Ndërkohë, sipas zyrtarëve, dronët ukrainas goditën një rafineri nafte në qytetin rus të Jarosllavlit.