Aktualitet

Itali, i riu shqiptar vret me thikë nënën 39 vjeçe!

Një 21-vjeçar shqiptar goditi për vdekje me thikë mamanë e tij, 39-vjeçaren Meleqe Lusha, në banesën e tyre, në rrugën Via Tagliata të Chiari-t, në provincën e Breshias, Itali.

Ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmjen e kaluar, ndërsa pas krimit i riu u largua nga banesa, për t’u dorëzuar më vonë në mënyrë vullnetare pranë karabinierëve në Kremona.

Sipas mediave italiane, ishte vetë 21-vjeçari që iu tregoi efektivëve për ngjarjen. Në apartament, karabinierët gjetën trupin e pajetë të 39-vjeçares. Eduart Xhani, i lindur në San Bonifacio të Veronës, u paraqit këtë mëngjes në kazermat e karabinierëve në Kremona, ku dorëzoi veten tek autoritetet.

Ndërkohë, specialistët e Seksionit të Hetimeve Shkencore të Komandës Provinciale të Karabinierëve në Breshia kanë kryer këqyrjen e banesës, me qëllim mbledhjen e provave dhe rindërtimin e dinamikës së ngjarjes. Hetuesit po punojnë për të zbardhur rrethanat e plota të krimit dhe për të përcaktuar motivin që çoi në vrasjen e 39-vjeçares.

Deri më tani, autoritetet italiane nuk kanë dhënë detaje të tjera mbi motivet e ngjarjes, ndërsa hetimet vijojnë.

JavaScript is required for tabnav widget to work properly.