Tuesday / November 3 / 2026
Revista Monitor Logo
hamburger menu icon

mbyll

close icon
Ads
Lajmet Kryesore Nga Vendi

Nga 1 janari dividendi do paguhet 15% pavarësisht vitit; Binaj: Rritja e normës sjell barazi fiskale

Share Share Icon

Paketa e re fiskale për vitin 2027 parashikon pagesën e dividendit të rritur prej 15% (nga 8% aktualisht), pavarësisht periudhës se kur mund të jenë materializuar fitimet, për të cilat vendoset shpërndarja e dividendit.

Ministria e Financave sqaroi për “Monitor” se, nga data 1 janar 2027, çdo dividend që shpërndahet nga një kompani do të tatohet me 15%, pavarësisht se kur është realizuar fitimi, në vitin 2026, 2025 apo më parë. Pra, nëse asambleja e ortakëve ose aksionerëve merr vendimin për shpërndarjen e dividendit nga 1 janari 2027 e në vijim, do të zbatohet norma e re prej 15%, edhe nëse dividendët vijnë nga fitime të akumuluara gjatë viteve të mëparshme.

Është e natyrshme që subjektet do të tentojnë që të shpërndarjen të gjithë dividendin përpara hyrjes në fuqi të ligjit, në mënyrë që të shmangin normën e rritur të tij.

Ilir Binaj, drejtori në detyrë i Tatimeve, tha për “Monitor” se bizneset kanë të drejtë të vendosin shpërndarjen e dividendëve përpara fundit të vitit, por duhet të respektojnë kushtet ligjore për aftësinë paguese dhe likuiditetin. Sipas nenit 77 të ligjit “Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare”, administratorët duhet të lëshojnë një certifikatë që garanton se, edhe pas shpërndarjes së fitimeve, aktivet e kompanisë mbulojnë detyrimet dhe ajo ka likuiditet të mjaftueshëm për të shlyer pagesat që bëhen të kërkueshme gjatë 12 muajve në vijim.

Z.Binaj thotë se arsyeja e rritjes së tatimit mbi dividendin lidhet me barazinë fiskale mes bizneseve. “Nuk mundet që personi fizik që merr përgjegjësi me pronë personale ndaj të tretëve, të paguajë më shumë se ortaku/aksioneri me përgjegjësi të kufizuar”. Personi fizik, i cili mban vetë të gjithë rrezikun e biznesit paguan maksimumi 23%. Personi juridik paguan një normë aktuale tatimi prej 21.8% (15% + 8%*0.85=21.8%), shpjegon ai.

Me rritjen e propozuar të tatimit mbi dividendin norma e propozuar për personat juridikë arrin në 27.8% (15% + 15%*0.85=27.8%).

Ai shton se nuk kishte kuptim që kompania paguante më pak se individi në shpërndarjen e fitimit, pasi aksioneri, që merr më pak risk në mbarëvajtjen e biznesit duhet të paguajë më shumë. “Kjo është një rivendosje se ku duhet të jetë nivelet, sesa një rënie në qafë kompanive me përgjegjësi të kufizuar dhe shoqërive anonime”.

Me ndryshimet e fundit, shoqëritë me përgjegjësi të kufizuar dhe shoqëritë aksionere do të paguajnë 4.8% me shumë se person fizik për shpërndarjen e fitimit.

Rritja e tatimit mbi dividendin, e propozuar nga qeveria në paketën fiskale 2027, vjen tetë vjet pasi norma u ul nga 15% në 8%, duke filluar nga janari i vitit 2019. Ulja në atë kohë u argumentua me nevojën për të lehtësuar barrën fiskale mbi fitimet e shpërndara dhe për të nxitur bizneset të shpërndanin dividendët e akumuluar, të cilët mbaheshin në kompani edhe për shkak të nivelit të lartë të tatimit.

Norma e reduktuar në atë kohë u zbatua edhe mbi fitimet e pashpërndara të viteve të mëparshme. Një nga përfituesit më të mëdhenj ishte “Telekom Albania” (ish-AMC), që vendosi të shpërndante 50 miliardë lekë, ose rreth 400 milionë euro, dividend nga fitimet e akumuluara gjatë viteve 2001–2010.

Siç raportonte atëherë “Monitor”, kompania përfitoi nga tatimi 8%, duke paguar 4 miliardë lekë, në vend të 7.5 miliardë lekëve që do të paguante me normën 15%. Diferenca prej 3.5 miliardë lekësh, ose rreth 28 milionë euro, ishte përfitimi fiskal nga ulja e normës.

Telekom Albania shpërndan 400 milionë euro dividend

Tatimet përgatiten me ligj të luftojnë evazionin nga rritja e dividend, ekspertët kërkojnë qartësi

Me ndryshimet e reja ligjore, financat janë përpjekur të mbyllin shtigjet që subjektet mund të gjejnë për të anashkaluar tatimin e rritur të dividendit.

Në projektligjin e fundit, parashikohet që do të njihen si dividend edhe  shumat që kompanitë u japin ortakëve apo aksionarëve në formën e huave, paradhënieve ose financimeve të tjera, kur ato nuk përfaqësojnë transaksione financiare reale, por në thelb janë shpërndarje të tërthorta të fitimit. Sipas relacionit, që shoqëron projektligjin, ky ndryshim synon të kufizojë mundësitë për shmangien e tatimit mbi dividendin si rezultat i rritjes së normës tatimore, duke garantuar trajtimin e shpërndarjeve të fitimit sipas përmbajtjes së tyre ekonomike, pavarësisht formës juridike të përdorur.

Rritja e tatimit mbi dividendin, tatimet do të trajtojnë si shpërndarje fitimi dhe huatë për ortakët

Sajmir Laçej nga themelues i “ASL Tax & Legal Advisors” ish drejtor i politikave të taksave në Ministrinë e Financave ka rezervat e tij për projektligjin.  “A nuk duhet që projektligji të përcaktojë një mekanizëm të qartë, me kritere objektive dhe afate konkrete, se kur një hua ndaj ortakut konsiderohet shpërndarje e tërthortë fitimi dhe tatohet si dividend me 15%?”, thotë ai.

Laçej ngre pikëpyetjen se çfarë ndodh në rast se huaja është reale: ka afat kthimi dhe interes të llogaritur sipas normave të tregut (benchmarks) për transaksionet midis palëve të lidhura. Këto janë elemente të rëndësishme për vlerësimin e natyrës së transaksionit.

“Nëse janë hua reale duhet të kenë afat kthimi dhe të aplikohet interes i llogaritur sipas Benchmarks për transaksionet midis palëve të lidhura. Vetëm nëse ortaku nuk e paguan huanë dhe interesat brenda një afati të arsyeshëm mund të konsiderohet si divident dhe të tatohet me 15%”, shton ai.

Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Ekskluzive Monitor Top 1,000

Publikohen për herë të parë treguesit financiarë të 1000 kompanive më të mëdha në vend. Renditja e grupeve kryesore!

Eksploro Top List
Live Now

Lajme të Ngjashme

Rritje çmimesh dhe kosto shtesë për profesionet e lira, APL analizon efektet e paketës së re

Aleanca e Profesionistëve të Lirë (APL) mbështetur në të dhënat e çmimeve dhe fuqisë blerëse sipas Eurostat dhe INSTAT, evidenton hendekun mes kost...

15 hours më parë 14 Min Lexim

BB: Eksportuesit 66% më produktivë, por përfitimet nuk reflektohen në paga

Kompanitë e industrisë përpunuese që eksportojnë, por nuk importojnë, kanë një produktivitet pune 66% më të lartë se ndërmarrjet që operojnë vetëm ...

16 hours më parë 3 Min Lexim
Ads
collaps icon

Rrisni limitin e artikujve në 400 në muaj FALAS! Regjistrohu Falas!

Rrisni limitin e artikujve në 400 në muaj FALAS!

Si përdorues i paregjistruar, mund të lexoni vetëm 200 artikuj në muaj. Mund ta rrisni këtë limit duke krijuar një llogari FALAS në faqen tonë.

Regjistrohu FALAS!