Gazetari Artan Hoxha ka komentuar takimin e ministrit të Drejtësisë, Toni Gogu, me Erion Veliajn në burgun e Fierit, duke e cilësuar atë si një kërcënim mafioz. Sipas tij, vizita e ministrit në orën 22:30, jashtë orarit të zakonshëm të takimeve me të paraburgosurit, tregon se bëhet fjalë për një situatë të pazakontë.
I ftuar në emisionin “Prime” në News24, Hoxha deklaroi se ngjarja është pjesë e përplasjes mes kryeministrit Edi Rama dhe kryebashkiakut të Tiranës, ndërsa përdori tone të ashpra ndaj kreut të qeverisë, duke e cilësuar atë “burracak”.
Gazetari tha se kishte komunikuar me avokatin e Veliajt dhe me burime në burgun e Fierit, prej të cilëve pretendoi se kishte marrë informacione shqetësuese për kushtet e paraburgimit të kryebashkiakut.
Sipas Hoxhës, Veliaj, i cili ka një dëmtim në këmbë, është vendosur në një sektor me persona të dënuar për krime të rënda. Ai pretendoi gjithashtu se kryebashkiaku është mbajtur për 48 orë në një qeli pa dritare, se ajrimi i tij zhvillohet i vetëm dhe se ndaj tij ushtrohet monitorim i vazhdueshëm.
Duke iu referuar deklaratës së ministrit Gogu, i cili ka mohuar përcjelljen e mesazheve kërcënuese, Hoxha tha se i beson versionit të Veliajt, ndërsa vuri në dukje se ministri e ka vizituar atë vetëm pas 20 muajsh qëndrimi në burg.
“Ajo që ndodhi në burgun e Fierit ishte kërcënim mafioz. As Putini nuk e bën atë kërcënim në atë mënyrë. Ministri shkon në burg në orën 22:30. Ka një orar kur hyhet dhe një orar kur nuk hyhet, përveç rasteve të emergjencës. Duket që është një hall i madh dhe është në vazhdën e atij kërcënimi tipik mafioz”, u shpreh Hoxha.
Gazetari u ndal edhe te konflikti për Bashkinë e Tiranës dhe zgjedhjet e ardhshme vendore. Sipas tij, Veliaj ka rifituar ndikim në bashki që prej mesit të shtatorit, duke larguar persona të vendosur nga Rama, çka, sipas pretendimeve të tij, ka thelluar përplasjen mes tyre.
Hoxha pretendoi se mesazhi që Gogu i kishte përcjellë Veliajt, sipas letrës së këtij të fundit, ishte që të hiqte dorë nga Bashkia e Tiranës, në të kundërt do të përballej me akuza dhe një dënim të mundshëm prej 100 vitesh burg.
Në përfundim, gazetari kërkoi që institucionet përgjegjëse të sqarojnë rrethanat e vizitës së ministrit në orët e vona, duke ngritur pikëpyetje edhe mbi përgjegjësinë e drejtuesve të burgut të Fierit dhe mënyrën se si është autorizuar takimi.












