Një alpinist 20-vjeçar nga Gjermania u shpëtua pas një operacioni 14-orësh në Alpet austriake, pasi dy personat që po ngjiteshin me të vazhduan rrugën dhe e lanë vetëm në mal. Policia ka nisur hetimet për ngjarjen, e cila ndodhi gjatë fundjavës në kushte të vështira atmosferike.
I riu ishte pjesë e një grupi prej tre alpinistësh që të shtunën pasdite u nisën drejt shtegut Konigsjodler, në vargmalin Hochkönig, pavarësisht parashikimeve për mot të keq dhe paralajmërimeve të marra gjatë rrugës.
Sipas Shërbimit Austriak të Shpëtimit Malor, në një lartësi prej rreth 2,600 metrash, 20-vjeçari nuk ishte më në gjendje të vazhdonte ngjitjen dhe telefonoi për ndihmë rreth orës 19:00. Dy shoqëruesit e tij, megjithatë, vijuan rrugën dhe mbërritën në strehën malore Matrashaus po atë mbrëmje.
Operacioni i shpëtimit u vështirësua ndjeshëm, pasi helikopteri nuk mundi të ngrihej për shkak të kushteve atmosferike. Gjatë natës, reshjet e dendura të dëborës dhe dukshmëria e dobët e bënë ndërhyrjen edhe më të rrezikshme.
Ekipet e shpëtimit arritën ta lokalizonin të riun pak para mesnatës, por për shkak të motit të rënduar, operacioni zgjati deri në mëngjes. Sipas shërbimit të shpëtimit, ekipi mbërriti në zonën e Erichhütte në orën 08:18.
Autoritetet paralajmëruan se 20-vjeçari ndodhej në rrezik serioz dhe, sipas vlerësimit të shpëtuesve, me shumë gjasë nuk do të kishte mbijetuar një natë tjetër në ato kushte.
“Ishte kërcënuese për jetën për të gjithë. Mes reshjeve të dendura të borës dhe dukshmërisë së dobët, ekipi ynë nuk arriti në Erichhütte deri në orën 8:18 të mëngjesit”, thuhet në njoftimin e shërbimit.
Shpëtuesit theksuan se rasti tregon pasojat që mund të sjellin mbivlerësimi i aftësive personale, shpërfillja e paralajmërimeve dhe planifikimi i dobët i itinerarit.
“Ky operacion tregon edhe një herë se sa shpejt vetëbesimi i tepërt, shpërfillja e paralajmërimeve dhe planifikimi i dobët i itinerarit mund të çojnë në një situatë kërcënuese për jetën. Alpinizmi gjithashtu do të thotë kthim prapa në kohën e duhur”, thuhet më tej në deklaratë.
Ndërkohë, policia austriake ka nisur hetimet për të sqaruar rrethanat e ngjarjes dhe veprimet e dy shoqëruesve që vijuan ngjitjen, duke e lënë 20-vjeçarin në mal.

