Gazetari Armand Shkullaku e ka cilësuar si një ngjarje jashtëzakonisht të rëndë takimin e ministrit të Drejtësisë, Toni Gogu, me Erion Veliajn në burgun e Fierit, duke e konsideruar atë një dëshmi se Shqipëria ndodhet përballë një ‘shteti të mafies’.
I ftuar në emisionin ‘Çim Peka LIVE’ në SYRI TV, Shkullaku tha se rasti është i paprecedentë dhe kërkoi që SPAK-u të reagojë zyrtarisht për rrethanat e vizitës së ministrit në qelinë e Veliajt, në orën 22:30 të mbrëmjes.
Sipas tij, debati nëse SPAK-u është i pavarur apo kontrollohet nga Edi Rama duhet të lihet mënjanë, pasi në këtë rast institucioni i posaçëm ka një detyrim të menjëhershëm: të sqarojë nëse vizita e ministrit të Drejtësisë është kryer në përputhje me ligjin dhe procedurat.
‘Bushati po fliste për diktaturën. Unë sot them se kjo është një ngjarje shumë e rëndë. Mendoj se jemi më keq se në diktaturë. Deri dje, kur thoshim ‘shteti i mafies’, kjo mund të dukej si një slogan. Sot jemi plotësisht përballë shtetit të mafies.
Prandaj, unë do të kërkoja që debatin nëse SPAK-u është i pavarur apo jo, nëse e kontrollon Rama apo jo, të cilin e kemi bërë vazhdimisht, ta lëmë mënjanë, sepse sot nuk është dita për këtë.
SPAK-u sot ka vetëm një detyrë, lidhur me atë që the ti në fillim të emisionit: ka ndodhur një ngjarje e paprecedentë në Shqipëri, madje besoj edhe në Europë.
Një ministër shkon në burg në orën 22:30, në kundërshtim me ligjin, me rregulloren dhe me të gjitha procedurat e tjera, pa njoftuar prokurorët e SPAK-ut, të cilët kanë nën hetim personin e paraburgosur. Nuk ka rëndësi nëse ka shkuar pa leje apo me leje.
Minimumi i minimumit, nëse na dëgjojnë sot, është që SPAK-u të dalë me një qëndrim. Ka hyrë fshehurazi? Është maskuar si grua? I ka dhënë leje SPAK-u? Apo Rama ka marrë Klodian Bravën dhe i ka thënë: ‘Do të shkojë ministri im atje dhe mos ma çani kokën, qepeni gojën, se ju zhduk edhe juve’?
Pse them se sot jemi përballë një shteti mafioz? Sepse kjo është ajo që ka ndodhur.
Kur pamë për herë të parë pamjet e Ilir Metës, të cilat u shfaqën gjithandej pas një kohe të gjatë që nuk e kishim parë, ne dhe një pjesë e madhe e atyre që i panë u tronditëm nga transformimi i tij. Ndërkohë, ne kishim publikuar informacione se, me urdhër të Edi Ramës, ai keqtrajtohej, privohej nga ushqimi dhe nga takimet, nuk lejohej të dilte në ajrim dhe i nënshtrohej masave të tjera represive. Njerëzit thoshin se këto ishin përralla me mbret, sepse gjëra të tilla nuk ndodhnin.
Tani, çfarë ka ndodhur sot? Ka ndodhur diçka që e kemi parë nëpër filma, por që unë nuk e mendoja se mund të ndodhte realisht.
Kam parë shumë filma për mafian italiane, ku dikush i dërgon një mesazh një të burgosuri përmes një gardiani të korruptuar, duke i përcjellë një copë letër me kërcënimin: ‘Mbyll gojën, sepse familjen tënde do ta marrim peng’. Ose: ‘Po fole, do të zhdukim ose do të të kalbim në burg’. Por kjo ka ndodhur gjithmonë përmes një gardiani. Nuk kemi parë asnjë rast në histori kur kryeministri i një shteti dërgon ministrin për të shantazhuar një të burgosur dhe për t'i thënë: ‘Mbyll gojën dhe mos fol’.
Le t'i lëmë mënjanë konsideratat për Erion Veliajn. Ajo që thotë Lali nuk ka pikë rëndësie. Pse nuk ka rëndësi dhe pse them se jemi në kushtet e një shteti mafioz? Sepse, nëse ministri i Drejtësisë pranon se ka shkuar në orën 22:30, ditën e premte, dhe ka takuar një të burgosur, një të paraburgosur, në qeli, këtu mbaron historia.
Pse e ka takuar? Për t'i shprehur dashurinë apo për t'u interesuar për të? Po të interesohej, le të interesohej edhe për Ilir Metën, edhe për Lefter Kokën, edhe për shokët e tjerë të partisë.
Pra, ministri pranon se e ka zhvilluar takimin. Nëse ky do të ishte avokati i të pandehurit dhe jo avokati i djallit, ai duhet të shkonte të shihte se çfarë po ndodhte me të.
Një ministër i një shteti nuk mund të lëvizë pa transparencë. Edhe kur udhëton jashtë shtetit, njofton: ‘Po udhëtoj drejt Gjermanisë për një takim zyrtar me këtë person’, apo ‘Po shkoj për pushime në filan vend’, sepse paguhet nga taksat tona. Transparenca është detyrim.
Nëse një ministër shkon në burg për të takuar një të pandehur, i cili ende nuk është dënuar, nuk mund të presë që lajmi të publikohet në media dhe më pas, të hënën, të dalë me një sqarim, kur kanë kaluar tri ditë nga ngjarja.
Ai thotë se u nis nga shqetësimi i ngritur nga Bushati për disa deputetë dhe se shkoi për të takuar personin e paraburgosur e për të marrë vesh se çfarë po ndodhte. Por pretendime të tilla ka pasur plot. Edhe për Ilir Metën, edhe për Lefter Kokën, edhe për Fredi Belerin, edhe për Jorgo Goron, të cilët kanë pasur probleme shëndetësore, kanë shkuar në spital ose janë nxjerrë prej andej.’, u shpreh Armand Shkullaku në SYRI TV.
© SYRI.net
'Veliaj në burg, Balluku jashtë, Rama komandon SPAK-un dhe burgjet', Bushati: Jemi nën diktaturën e një njeriu të vetëm
Letra e Veliajt, provë e kapjes së SPAK-ut/ Balliu: Rama vendos kush hyn në burg dhe kush del prej tij!
‘Erion Veliaj kërcënohet me 100 vite burg në këmbim të Bashkisë’/ PD: Hetim urgjent për shantazhin mafioz të Ramës, Gogut dhe Hajdarit