Partia Demokratike ka reaguar pas publikimit në media të letrës së Erion Veliajt nga burgu, ku ky i fundit pretendon se është kërcënuar me 100 vite burg nëse nuk dorëzon Bashkinë e Tiranës.
Në një deklaratë për mediat, PD pretendon se pas transferimit të Veliajt në burgun e Fierit, kryeministri Edi Rama i ka dërguar në qeli ministrin e Drejtësisë, Toni Gogu, për t’i kërkuar që të heqë dorë nga drejtimi i Bashkisë së Tiranës.
Sipas versionit të bërë publik në letrën e Veliajt, në rast refuzimi ai do të përballej me akuza për prishje të rendit kushtetues dhe financim të protestave të njohura si “Flamingot”, me një dënim që, sipas pretendimit, mund të arrinte deri në 100 vite burg.
Demokratët e cilësojnë këtë një shantazh dhe kërkojnë nisjen e një hetimi urgjent për përfshirjen e pretenduar të Ramës dhe Gogut.
Në deklaratë, PD ngre gjithashtu shqetësimin për sigurinë e Veliajt në burgun e Fierit, duke pretenduar se kërcënimet ndaj tij përbëjnë rrezik serioz për jetën e tij.
Partia Demokratike akuzon gjithashtu SPAK-un se po përdoret si instrument presioni në përplasjet brenda mazhorancës, ndërsa e cilëson situatën si një “luftë brenda llojit” të pushtetit.
Në përfundim, PD dënon atë që e quan kërcënim ndaj Veliajt në qeli dhe kërkon hetim për pretendimet e bëra publike.













