Ish-kancelarja gjermane Angela Merkel do të rikthehet në një proces të rëndësishëm politik, këtë herë si përfaqësuese e partisë konservatore Bashkimi Kristian Demokrat (CDU) në konventën që do të zgjedhë presidentin e ri të Gjermanisë.
Sipas raportimeve të mediave gjermane, Merkel do të përfaqësojë landin verior të Schleswig-Holstein në Asamblenë Federale, e cila do të votojë për pasardhësin e presidentit aktual, Frank-Walter Steinmeier. Zgjedhja është planifikuar të zhvillohet më 30 janar 2027.
Presidenti gjerman ka kryesisht funksione ceremoniale dhe zgjidhet nga Asambleja Federale, e përbërë nga të gjithë deputetët e Bundestagut dhe një numër i barabartë përfaqësuesish të zgjedhur nga parlamentet e 16 landeve.
Ndërkohë, partitë e koalicionit qeverisës, konservatorët dhe socialdemokratët e kancelarit Friedrich Merz, ende nuk kanë rënë dakord për një kandidat të përbashkët.
Merkel, e cila drejtoi Gjermaninë për 16 vite, ka bërë së fundmi thirrje që presidenti i ardhshëm të jetë një grua, duke vënë në dukje se në 77 vitet e historisë së Republikës Federale nuk ka pasur asnjëherë një presidente.
“Në historinë 77-vjeçare të Republikës Federale të Gjermanisë, nuk ka pasur kurrë një grua si presidente federale”, deklaroi Merkel në një intervistë për “MagentaTV”.
Pjesëmarrja e saj në konventë vjen në një moment kur partitë gjermane po përgatiten për zgjedhjen e kreut të ri të shtetit, ndërsa vetë Merkel mbetet një prej figurave më të njohura të CDU-së.


