Mbledhja e datës 2 tetor 2026 e Senatit Akademik të Universitetit “Luigj Gurakuqi”, e cila shqyrtoi, votoi edhe zgjodhi anëtarët e Bordit të Administrimit, përfaqësues të këtij IAL-je, kërkohet të konsiderohet e kundraligjshme. Kërkesa, është bërë nga një nga anëtarët e Senatit Akademik, pak orë para mbledhjes së tij, parashikuar për ditën e martë, 3 nëntor 2026, në orën 09:00.
ShkodraWeb ka siguruar e-mail-in që i është dërguar jo vetëm anëtarët të Senatit Akademik por edhe të gjithë stafit të UNISHK, duke kontestuar praktikisht, zgjedhjen e anëtarëve të Bordit të Administrimit, teksa kërkohet që mbledhja të shpallet e kundraligjshme. Senatori i UNISHK që ka drejtuar këtë mail, paraqet edhe argumentet ligjore se pse mbledhja duhet të shpallet e kundraligjshme. Më poshtë, mail-i i plotë dhe argumentimi ligjor i kërkesës.

Drejtuar anëtarëve të Senatit.
Për info të gjithë stafit të USH.
Të nderuar kolegë.
Me datë 02/10/2026, ora 15:00, Senati i USh ka zhvilluar një mbledhje me rend dite zgjedhjen me votim të tre anëtarëve të Bordit të USh, si përfaqësues të stafit të brendshëm akademik në BA.
Mbledhja u thirr me porosi të rektores nga sekretaria funksionale e Senatit, XXXXXXXXXXXXXX, nëpërmjet emailit në adresë të anëtarëve të Senatit.
Në këtë email kërkohej edhe dakordësia e gjithë anëtarëve të Senatit, pa përjashtim. Njëri nga anëtarët e Senatit nuk dha dakordësinë, duke votuar “KUNDËR” me gërma shtypi, që të mos justifikohej nga ndokush se nuk e kishte vënë re. U dha edhe argumenti se një mbledhje e një rëndësie të tillë nuk meriton të bëhet në kushte të një mbledhjeje të jashtëzakonshme.
Me një votë kundër të deklaruar, nuk mund të bëhej asnjë tentativë më për të thirrur apo për të zhvilluar mbledhje Senati si organ kolegjial dhe si kusht që vinte nga ligji.
Këtë kusht e kërkon ligji nr. 8480, datë 27.05.1999, “Për funksionimin e organeve kolegjiale të administratës shtetërore dhe enteve publike”, konkretisht:
Neni 10
“Mbledhja e organit kolegjial është e vlefshme edhe kur nuk respektohen procedurat e parashikuara për thirrjen dhe zhvillimin e saj, vetëm ne rast se ne atë mbledhje marrin pjese te gjithë anëtarët me te drejte vote, te cilët, paraprakisht, miratojnë zhvillimin e mbledhjes”.
Gjithashtu, një kusht të tillë e kërkon edhe Rregullorja e Senatit të USh, e cila në:
NENIN 11, pika 7
përcakton:
“Kur nuk respektohen procedurat e parashikuara për thirrjen dhe zhvillimin e mbledhjes së Senatit, mbledhja është e vlefshme, vetëm në rastin, kur në të marrin pjesë të gjithë anëtarët e Senatit, të cilët, paraprakisht, miratojnë zhvillimin e mbledhjes”.
Këto të dyja rregullime që përcakton ligji dhe Rregullorja e Senatit të USh, sipas citimeve respektive më lart, janë tepër të mjaftueshme për të kuptuar se mbledhja e zhvilluar më datë 02/10/2026 ka qenë e KUNDËRLIGJSHME.
Me këto dy shkelje të ligjit eshtë shkelur dhe parimi i Shkeljes së rregullit të detyrueshëm: parim i cili e bën të detyrurshëm rikthimin e ligjëshmërisë në thirrjen dhe organizimin e mbledhjes të Senatit të USh.
Për këto arsye themelore të zbatimit të ligjshmërisë në organet kolegjiale brenda territorit të Shqipërisë, çdo organ dhe çdo anëtar i këtyre organeve do të preferonte që, në momentin kur konstatohej shkelja, të kërkonin individualisht e kolegjialisht rishikimin e paligjshmërisë dhe rikthimin e ligjshmërisë së mbledhjes së organit.
Për këto arsye, unë, si anëtar i Senatit Akademik të USh, pasi kam konstatuar shkeljen e plotë dhe të drejtpërdrejtë të ligjit për organet kolegjiale, Neni 10, si dhe shkeljen flagrante të Nenit 11, pika 7, të Rregullores së Senatit të USh, konstatoj se të dyja shkeljet, qoftë ligjore, qoftë ajo statutore, janë bërë që në momentin e thirrjes së mbledhjes, gjatë organizimit të saj e deri në fund. Gjithçka ka qenë në kundërshtim me përcaktimet ligjore në fuqi. Sikurë dhe vetëm njëra shkelje të ekzistonte do të ishte e mjaftueshme për tu quajtur shkelje dhe për të marrë masat e menjëhershme të rikthimit të ligjishmërisë të kësaj mbledhje.
Për këto arsye,
kërkoj nga kolegët dhe kryetari i Senatit:
“Shqyrtimi i ligjshmërisë së thirrjes dhe zhvillimit të mbledhjes së Senatit Akademik të datës 02.10.2026”.
Mbetem me bindjen se ligjshmëria do të rikthehet, si qëllim e dëshirë e të gjithë anëtarëve të Senatit.
Qëllimi nga ana ime është thjesht të rikthehet ligjshmëria në mbledhjet e Senatit dhe në organet e tjera të universitetit. Të bëhet ndarja me kohën kur rektori i sapoikur e bëri shkeljen e ligjit dhe të akteve të tjera juridike vijë sjellje të përditshme e të zakonshme në aktivitetin e tij.
Nuk kam qëllim të fajësoj asnjërin nga kolegët e Senatit për qëndrime të paligjshme, pasi mbledhje të tilla kanë qenë rutinë me rektorin e mëparshëm e, për pasojë, në një moment të nxitimit për të realizuar mbledhjen një ditë pas njoftimit të saj, sigurisht që vëmendja e senatorëve mund të ketë qenë te fakti i përzgjedhjeve të vështira mes cilësive të larta të kolegëve konkurentë dhe rrethanave të tyre në raport me ambientin universitar e përtej tij.
Respekte.
V.O.
Nuk mendoj se Drejtoria Juridike ka dhënë vlerësim dakordësues për procedurën në shkelje të ligjit për mbledhjen në fjalë.
Mbetet të shihet reagimi i anëtarëve të Senatit Akademik të UNISHK, të cilët tashmë janë në dijeni të kërkesës së një kolegu të tyre, teksa kjo instancë e Universitetit “Luigj Gurakuqi”, vijon të mbetet me 20 anëtarë, pasi rektori i zgjedhur Tonin Gjuraj ka dhënë dorëheqjen, duke qenë edhe kryetar i Senatit Akademik. /ShkodraWeb/




