Kryeministri i Spanjës, Pedro Sánchez, ka njoftuar një paketë të posaçme ndihme për familjet e viktimave dhe të mbijetuarit e aksidentit tragjik hekurudhor, ku humbën jetën 69 persona. Qeveria synon ta miratojë atë në mbledhjen e së martës.
Masat parashikojnë përshpejtimin e pagesave dhe dyfishimin e dëmshpërblimit që u takon me ligj pasagjerëve. Sánchez premtoi gjithashtu se shkaqet e aksidentit do të hetohen përmes një procesi të rreptë dhe transparent.
Ndërkohë, autoritetet rajonale në Castile-La Mancha bënë të ditur se tre prej 69 viktimave, pesë ditë pas aksidentit, ende nuk janë identifikuar. Sipas të dhënave zyrtare, 54 viktima ishin shtetas spanjollë dhe katër amerikanë, ndërsa të tjerët vinin nga Franca, Kanadaja, Republika Çeke, Japonia, Portugalia, Argjentina, Meksika dhe Tunizia.
Autoritetet bëjnë me dije se dy prej viktimave të paidentifikuara dyshohet se janë nga Australia dhe një nga Japonia. Familjarët e tyre janë lokalizuar, por duhet të udhëtojnë drejt Spanjës për të kryer procedurat e identifikimit përfundimtar.
Bilanci i të plagosurve mbetet gjithashtu i rëndë. Nga 39 personat që vijojnë të marrin trajtim në spital, 11 ndodhen në kujdes intensiv.
Aksidenti ndodhi pranë bashkisë së Urda-s, kur një tren i kompanisë shtetërore “Renfe” u përplas nga pas me një tren të ndaluar të operatorit privat “Iryo”.
Kjo është tragjedia e dytë e rëndë hekurudhore në Spanjë brenda nëntë muajve. Në janar, 46 persona humbën jetën në përplasjen e dy trenave me shpejtësi të lartë në Adamuz, në rajonin e Andaluzisë.

