Tuesday / November 3 / 2026
Revista Monitor Logo
hamburger menu icon

mbyll

close icon
Ads
Lajmet Kryesore Nga Vendi

Kur Tirana paguan çmimet e Brukselit

Share Share Icon

Nga Fatos Fico

Ekspert i zhvillimit të qëndrueshëm

 

Nëse stabiliteti do të matej vetëm me grafikët e Prodhimit të Brendshëm Bruto, ose me intensitetin e protestave me gurë në bulevard, liderët e periferisë evropiane do të flinin të qetë. Në Budapest, për 14 vjet Viktor Orbán e ndërtoi pushtetin e tij edhe me uzinat gjigante të makinave gjermane dhe megafabrikat kineze të baterive elektrike, të cilat e rritën PBB-në për frymë të Hungarisë deri në 77% të mesatares së Bashkimit Evropian.

Në Tiranë, ndërsa protestat në bulevard duket sikur po veniten, qeveria tregon rritjen ekonomike prej 3.6%, dyndjen e 14 milionë turistëve në vit, pyllin e vinçave mbi kryeqytet dhe monedhën kombëtare që është mbiçmuar me rreth 30% ndaj Euros që prej vitit 2015.

Rënia e Viktor Orbán-it në Budapest vërtetoi një të vërtetë kokëfortë që shumëkush e njeh mirë: qeveritë nuk i rrëzojnë gurët në bulevard, por ekonomia; sepse njerëzit nuk gatuajnë me prodhim të brendshëm bruto, nuk e paguajnë qiranë me statistika eksporti apo me metra katrorë kullash nga stararkitektë.

Për ta parë më mirë këtë mund të vendosim përballë Belgjikën, bërthamën e pasur industriale të BE-së, Hungarinë, gjysmë-periferinë e Evropës Perëndimore, dhe Shqipërinë, periferinë ballkanike, nën vrullin e ndërtimit dhe turizmit. Të dhënat na tregojnë anomali të thella strukturore dhe ekonomike. Ato tregojnë pse ekonomitë ku mbizotërojnë oligopolet do të përplasen me krizën e legjitimitetit të pushtetit dhe në rastet kur disa tregues makroekonomikë duken më të shkëlqyer se kurrë.

Fabrika kundrejt frigoriferit

Një nga narrativat kryesore të Orbán ishte se “PBB-ja për frymë po i afrohet mesatares së Bashkimit Evropian”. Një ekonomist, kur e dëgjon këtë narrativë, shikon dy tregues që politikanët kujdesen të mos i përmendin asnjëherë: Konsumin Individual Faktik për frymë (AIC)—treguesin që mat pikërisht sa mbushet realisht frigoriferi i familjes, dhe për Shqipërinë, edhe të dhënat demografike.

PBB-ja për frymë mat gjithçka që prodhohet brenda një vendi, përfshirë fitimet që korporatat shumëkombëshe i riatdhesojnë në selitë e tyre. Por për të matur si jetojnë realisht familjet, Eurostat përdor treguesin Konsumi Individual Faktik ose AIC (Actual Individual Consumption), i cili llogarit të mirat materiale dhe shërbimet reale, nga ushqimi e strehimi, te shëndetësia publike dhe arsimi, që mund të blejë me të ardhurat e tij një qytetar. Krahasimi i këtyre dy treguesve shfaq dy realitete të tjera përtej PBB-së, në Budapest dhe në Tiranë.

Në Hungari kemi paradoksin e “fabrikës kundrejt frigoriferit”, ai që i hoqi pushtetin Orbán-it. Sipas të dhënave të Eurostat-it për periudhën 2025–2026, ndërsa PBB-ja për frymë e Hungarisë ishte në rreth 77% të mesatares së BE-së, $25,850 në terma nominalë sipas FMN-së. Konsumi Individual Faktik ra në vendin e fundit të Bashkimit Evropian në vetëm 72% të mesatares komunitare, duke e radhitur vendin në këtë pozitë bashkë me Letoninë, madje pas Bullgarisë dhe Rumanisë.

Fabrikat e huaja prodhonin vlerë statistikore në rritje të PBB-së brenda kufijve hungarezë, e kjo falë taksës së korporatës prej vetëm 9%, por familjet hungareze mbetën me pagat reale më të shtrydhura në të gjithë bllokun e BE-së, jo vetëm nga inflacioni dhe zhvlerësimi i monedhës, por edhe nga taksat rekord mbi konsumin e kapja e ekonomisë nga oligarkët pranë qeverisë.

Në Shqipëri, ku PBB-ja nominale për frymë vlerësohet në $12,814, sa gjysma e asaj të Hungarisë, edhe pse në rritje të fortë nga viti 1990 kur ishte rreth $650, ana tjetër e tablosë është edhe më keq. Indeksi i vëllimit real të prodhimit për frymë është vetëm sa 43% e mesatares së BE-së, ndërsa konsumi familjar (AIC) qëndron në 48%, i parafundit në kontinent, duke lënë pas vetëm Bosnjë-Hercegovinën me 44%.

Shifrat fshehin dy iluzione. I pari është matematikor, e demografik. PBB-ja për frymë e Shqipërisë u rrit me rreth dhjetë pikë përqindjeje ndaj mesatares europiane gjatë dekadës së fundit jo sepse ekonomia kaloi në një revolucion produktiviteti, por sepse në raportin PBB/popullsi, emëruesi u tkurr me 15%. Midis Censuseve të viteve 2011 dhe 2023, popullsia rezidente u pakësua me rreth 430 mijë banorë. Kur e njëjta tortë ekonomike pjesëtohet me qindra mijëra banorë më pak, statistika “për frymë” fryhet artificialisht me 17%, edhe pa investuar për asnjë linjë të re prodhimi, si p.sh. në gjashtëmujorin e parë të vitit 2026.

Iluzioni i dytë lidhet me “serumin” në krah që e ka të lidhur prej kohësh ekonomia. Indeksi i konsumit familjar në nivelin e 48% të BE-së është më i lartë se ai që mbulon prodhimi vendas prej 43%, dhe tregon se ekonomia prodhuese shqiptare nuk arrin të mbulojë e vetme as standardin e vendit të parafundit të jetesës në Europë.

Shtesa prej pesë pikësh mbulohet përmes dërgesave të emigrantëve në 8.39% e PBB-së sipas Bankës Botërore dhe flukseve të kapitalit të huaj legal bashkë me atë joformal. Nga të hyrat formale, 59% e Investimeve të Huaja Direkte, €438 milionë nga €741 milionë në tremujorin e dytë të vitit 2026, shkuan thjesht në blerje pasurish të paluajtshme.

 

Brukseli blen më lirë se Tirana?

Sipas teorisë klasike ekonomike—efektit Balassa–Samuelson—një ekonomi në zhvillim me produktivitet dhe paga sa një e katërta ose një e pesta e Europës Perëndimore duhet të ketë një nivel çmimesh konsumi rreth 50% deri në 60% të mesatares evropiane. Çmimet e lira të mallrave dhe shërbimeve bazë duhet të shërbejnë si amortizator që e bëjnë vendin të jetueshëm edhe me paga të ulëta.

Në Shqipëri, ky ligj ekonomik ka pushuar së funksionuari. Indeksi i Nivelit të Çmimeve (PLI) për ushqimet dhe pijet jo-alkoolike në Shqipëri arriti në 103.8 (mesatarja e BE-së është 100), duke tejkaluar Hungarinë (95.2) dhe duke u barazuar praktikisht me Belgjikën në 104.5. Praktikisht, një sasi ushqimesh që në mesataren e Bashkimit Europian kushton €100, në Bruksel blihet për €104.50, ndërsa në Tiranë për €103.80, kjo në një vend ku paga mesatare neto është rreth €550, ajo mediane €405–€430, përkundër pagës mesatare neto prej €2,650 në muaj në Belgjikë.

Në vjeshtën e 2026-ës, ky paradoks u thellua edhe më shumë. Sipas institutit belg të statistikave, falë subvencioneve bujqësore evropiane dhe konkurrencës së fortë midis zinxhirëve të supermarketeve, inflacioni vjetor i ushqimeve në Belgjikë kaloi në territor negativ -0.4% në shtator 2026, me vajrat ushqimorë në -0.7% dhe produktet e bulmetit në -1.6%.

Ndërkohë, në Shqipëri, ku prodhimi vendas është lënë pa mbështetje dhe importet kontrollohen nga pak duar, në nënkategoritë bazë si vajrat e gatimit dhe yndyrnat arritën PLI ~117.0 kundrejt 103.5 në Belgjikë, apo veshmbathjet dhe këpucët në PLI 116.0 kundrejt 107.2 në Belgjikë. Kjo do të thotë se një konsumator në Tiranë paguan nominalisht më shumë euro në arkën e dyqaneve për këto artikuj sesa një funksionar i Komisionit Evropian në Bruksel në dyqanet atje.

Por, si është e mundur që një ekonomi me vëllim prodhimi në indeksin 43 të ketë çmime ushqimesh, karburanti dhe veshmbathjesh më të larta se ekonomitë në indeksin 77 si Hungaria apo 113 si Belgjika, aq më tepër kur Leku është mbiçmuar me 30% ndaj Euros?

Në një treg konkurrues, forcimi me 30% i monedhës kombëtare do të duhej t’i kishte ulur çmimet e mallrave të importuara. Duket se në Tiranë funksionojnë në mënyrë optimale oligopolet e importit: tregtarët e mëdhenj i blejnë mallrat më lirë në Euro, i mbajnë çmimet në Lek të pandryshuara, ose edhe më të larta, dhe e kapin vetë diferencën e kursit.

Kur Eurostat-i i kthen këto çmime nga Lek sërish në Euro me kursin e ri të mbiçmuar, Tirana del po aq e shtrenjtë sa Brukseli. Përtej këmbimit valutor, pa efekt, përgjigjja për çmimet e larta nuk gjendet vetëm tek “inflacioni i importuar”, logjistika, fuqia punëtore, por edhe te katër faktorë të brendshëm ku ia vlen të thellohemi pak.

I pari është përmbysja fiskale. Belgjika takson fort kapitalin dhe të ardhurat e larta, por mbron ushqimin duke aplikuar vetëm 6% TVSH mbi ushqimet. Shqipëria zbaton filozofinë e kundërt: ka TVSH-në në 6% (dhe taksën e ndikimit në infrastrukturë në 0%) te investitorët strategjikë të resorteve me pesë yje, ndërsa arkën e shtetit e mbush duke taksuar bukën, qumështin dhe vezët me shkallën standarde prej 20%. Në Budapest, Viktor Orbán ndoqi një rrugë të ngjashme regresive, duke kombinuar TVSH-në rekorde prej 27% me një supertaksë prej 4.5% mbi xhiron e zinxhirëve të supermarketeve, një barrë që tregtarët ua faturuan menjëherë blerësve.

Mekanizmi i dytë është taksimi mbi karburantet, rrugët ende të paplota dhe mungesa e hekurudhave. Sipas Buletinit Javor të karburanteve të Komisionit Europian, p.sh. në 19/10/26, diesel në Hungari tregtohej me €1.95/litër (PLI 91.2), ndërsa në Shqipëri në rreth €2.16/litër (PLI 108), ky mbi mesataren e BE-së €2.14/litër.

Arsyeja është arkitektura fiskale: shteti shqiptar vjel rreth €0.73 taksa fikse për çdo litër (akcizë 39.4 ALL, taksë qarkullimi 27 ALL, taksë karboni 3 ALL dhe tarifa koncesionare kontrolli), mbi të cilat aplikon edhe 20% TVSH (“taksë mbi taksën”), duke siguruar rreth 9.8% të të ardhurave buxhetore nga pompat e karburantit.

Shqipëria e la të rrënohej rrjetin hekurudhor të mallrave pas vitit 1997, çdo ton miell apo pleh kimik transportohet ekskluzivisht me kamionë që përdorin diesel me €2.16/litër, duke e ngarkuar faturën fiskale të karburantit drejtpërdrejt mbi çmimin e ushqimit. E rrugët vazhdojnë të mbeten rrugëve.

Mekanizmi i tretë është ri-monopolizimi i tregjeve strategjike, i ilustruar më së miri nga telekomunikacioni. Midis viteve 2010 dhe 2015, kur në tregun shqiptar konkurronin katër operatorë celularë, indeksi i çmimeve të komunikimit ra nga 88.0 në 71.5, gati 30% nën mesataren evropiane.

Por në vitet 2021–2023, konglomerati hungarez 4iG—një kampion kombëtar i rrethit NER pranë qeverisë së Budapestit, bleu operatorët kryesorë si në Hungari (Vodafone Hungary dhe Digi), ashtu edhe në Shqipëri (ALBtelecom dhe ONE), duke e reduktuar tregun shqiptar në një duopol me Vodafone. Pasojat lexohen qartë në tabelat e Eurostat-it: midis viteve 2015 dhe 2026, indeksi i çmimeve të komunikimit në Shqipëri u rrit nga 71.5 në 102.7, duke e bërë komunikimin mobile më të shtrenjtë se mesatarja e Bashkimit Evropian.

Së fundi qëndron edhe taksa e fshehtë e shëndetësisë. Në llogaritjen e mirëqenies familjare, shërbimet publike funksionale janë po aq të rëndësishme sa rroga që derdhet në bankë. Në Belgjikë, shteti mbulon mbi 77% të faturave shëndetësore dhe qytetari paguan vetëm 17.8% nga xhepi.

Në Hungari, degradimi i spitaleve publike e bëri pagesën nga xhepi në 24.5%.Në Shqipëri, sipas Treguesve të Zhvillimit të Bankës Botërore, familjet financojnë drejtpërdrejt nga xhepi 48.27% të të gjitha shpenzimeve shëndetësore, shifra më e lartë në Evropë, duke detyruar madje rreth 8% të popullsisë të heqë dorë nga vizitat mjekësore për shkak të pamundësisë financiare, kjo tetëfish më shumë se mesatarja e BE-së në 1.0%.

 Pushtetet nuk i rrëzojnë gurët, por frigoriferi

Shifrat më sipër nuk janë thjesht kuriozitete statistikore, ato krijojnë hartën tektonike të pakënaqësive. Në ekonominë politike moderne, nga “Teoria e Selektoratit” e Bruce Bueno de Mesquita-s, te koncepti i Yanis Varoufakis-it mbi “Trekëndëshin e Mëkatit”, simbioza midis pushtetit politik, oligarkëve që kapin të gjitha punët publike dhe mediave që ata krijojnë e financojnë, sistemet klienteliste nuk lëkunden mjaftueshëm nga marshimet studentore, e gurët në bulevard, dhe as kur qytetarët varfërohen edhe më shumë.

Ato bien kur shteti dhe oligopolet, importuesit e mëdhenj, koncesionarët,strategjikët, fitojnë para jo duke prodhuar apo konkurruar, por duke “vjelë” xhepat e qytetarëve përmes çmimeve të fiksuara lart, taksave mbi naftën e bukën dhe tenderëve publikë e shfrytëzimit të pasurive natyrore të pakthyeshme, duke e bërë të pamundur së pari jetesën me dinjitet, e pastaj mbijetesën e familjeve—si atë fizike (ushqime dhe ilaçe), dhe atë sociale (strehim e shkollim). Kur figurativisht frigoriferi është bosh, por të shfaq liderin sa herë e hap.

Në Hungari, ky prag u kalua kur dy shtyllat e modelit të Viktor Orbán-it u shembën njëherësh. Për vite me radhë, qeveria e tij ofroi lehtësi fiskale dhe fonde publike për rrethin oligarkik të NER, duke pasuruar figura të veçanta, ndërsa e ruante paqen sociale me çmime të kontrolluara të energjisë si dhe me transfertat e Brukselit që arrinin në 3%–4% të PBB-së në vit.

Kur Komisioni Europian bllokoi €16.4 miliardë fonde për shkak të cenimit të shtetit të së drejtës dhe vala inflacioniste e viteve 2022–2025 e dyfishoi koston e ushqimeve, sistemi filloi të binte. Konsumi Individual Faktik zbriti në vendin e fundit në BE.

Nëse marrim si njësi matëse një shportë ushqimore familjare standarde të BE-së me vlerë €300, asnjë mjet propagande nuk mund ta bindte më një familje hungareze se jetonte në një vend “tigër ekonomik” kur të ardhurat nga paga blinin vetëm 4.5 shporta të tilla në muaj, gati gjysmën e asaj që blen paga mesatare evropiane me 7.8 shporta apo ajo belge me 8.5 shporta. Orbán-i nuk ra nga gurët në protestë; ai ra sepse ekonomia e la klasën e mesme me frigoriferin bosh.

Në Shqipëri, presioni ekonomik material është edhe më ekstrem: shporta ushqimore prej €300 e BE-së kushton €311 në supermarketet e Tiranës (PLI 103.8), një punëtor me pagë mesatare neto €550 mund të blejë vetëm 1.7 shporta ushqimore standarde në muaj, duke shpenzuar 39.7% të buxhetit familjar vetëm për ushqim, ndërsa gjysma e forcës punëtore që paguhet nën pagën mediane €405 mbetet në kufijtë e mbijetesës biologjike me 1.3 shporta.

Pse, atëherë, ky presion nuk ka prodhuar ende të njëjtin tërmet politik si në Budapest? Përgjigjja gjendet te teorema klasike e Albert Hirschman-it të “exit vs. voice” ose “ikjes kundrejt protestës”. Tashmë prej shumë dekadash, sa herë që kostoja e jetesës në Shqipëri rritet, shtresa më e re dhe më kërkuese nuk derdhet në bulevard, por shkon në aeroport.

Emigrimi masiv drejt Gjermanisë, Italisë, e Britanisë së Madhe ka shërbyer si valvul dyfishe sigurie për qeverinë: eksporton jashtë kufijve kontingjentin e protestës dhe sjell në vend mbi një miliard euro remitanca në vit për të mbuluar varfërinë e familjeve që lanë pas, por dhe si investime kryesisht në ndërtime.

Në Tiranë, pushteti mund të ngushëllohet sot me faktin se protestat me gurë po veniten dhe lëvizjet studentore, e qytetare nuk po e lëkundin aq fort qeverinë. Por çdo valvul sigurie ka një pikë ngopjeje dhe qetësia në bulevard është një mirazh kur ekonomia po e ha bazën e mbijetesës.

Kur një ekonomi arrin në stadin ku gati dy të tretat e investimeve të huaja derdhen në pasuri të paluajtshme, 40% e buxhetit familjar shkon për ushqim, gati gjysma e shëndetësisë paguhet nga xhepi dhe një litër vaj gatimi apo një palë këpucë në Tiranë kushtojnë më shtrenjtë se në Bruksel, kontrata sociale mbahet pezull me një fije peri.

Siç e dëshmoi rënia e Orbán-it në Budapest, i cili i kishte mbijetuar për më shumë se një dekadë skandaleve dhe akuzave për korropsion, nuk janë gurët e protestuesve as marshimet studentore ato që i rrëzojnë sistemet e kapura nga oligopolet, por ekonomia dhe frigoriferi bosh. Kur çmimet janë sa në Bruksel e rroga sa për Bërxull, Tirana do të përballet herët a vonë me të njëjtin ligj të hekurt ekonomik.

Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Ekskluzive Monitor Top 1,000

Publikohen për herë të parë treguesit financiarë të 1000 kompanive më të mëdha në vend. Renditja e grupeve kryesore!

Eksploro Top List
Live Now

Lajme të Ngjashme

Buxheti 2027 ndan fondet për 61 bashki, pa reflektuar reformën territoriale me 46

Qeveria ka hartuar projektbuxhetin e pushtetit vendor për vitin 2027 mbi ndarjen e vjetër administrativo-territoriale me 61 bashki, ndonëse Kuvendi...

12 hours më parë 3 Min Lexim

BSH paralajmëron se ulja e pragut të TVSH-së për bizneset e vogla mund të rrisë çmimet

Banka e Shqipërisë shprehu sot një opinion pozitiv për projektbuxhetin e vitit 2027, por theksoi se plani i të ardhurave është në kufirin e sipërm ...

13 hours më parë 4 Min Lexim
Ads
collaps icon

Rrisni limitin e artikujve në 400 në muaj FALAS! Regjistrohu Falas!

Rrisni limitin e artikujve në 400 në muaj FALAS!

Si përdorues i paregjistruar, mund të lexoni vetëm 200 artikuj në muaj. Mund ta rrisni këtë limit duke krijuar një llogari FALAS në faqen tonë.

Regjistrohu FALAS!