Bota

Banka e Japonisë mban normat e interesit në 1.25%!

Banka e Japonisë la të pandryshuar normën bazë të interesit në 1.25%, por rriti parashikimet për inflacionin dhe sinjalizoi se mund të vijojë shtrëngimin e politikës monetare në muajt e ardhshëm, ndërsa presionet mbi çmimet po shtohen.

Vendimi u miratua me tetë vota pro dhe një kundër, në përputhje me pritshmëritë e të 53 ekonomistëve të anketuar nga Bloomberg.

Anëtari i bordit Hajime Takata kërkoi një rritje të menjëhershme të normës me 0.25 pikë përqindjeje, në 1.5%, duke reflektuar shqetësimet për rrezikun e përshpejtimit të inflacionit.

Banka qendrore vlerësoi se inflacioni bazë, duke përjashtuar ndikimin e faktorëve të përkohshëm, tashmë është përgjithësisht në përputhje me objektivin prej 2%.

Ky është një zhvillim i rëndësishëm për ekonominë japoneze, e cila për dekada është përballur me çmime në stanjacion dhe periudha deflacioni. Objektivi prej 2% ishte vendosur në vitin 2013, në kuadër të përpjekjeve për të nxitur rritjen e qëndrueshme të çmimeve dhe aktivitetin ekonomik.

Vendimi vjen pas rritjes së normës së interesit në shtator, kur Banka e Japonisë e çoi atë në 1.25%, duke përshpejtuar ritmin e normalizimit të politikës monetare.

Ndryshe nga periudha e mëparshme, kur prioritet ishte largimi i ekonomisë nga deflacioni, tani, vëmendja është zhvendosur te frenimi i rreziqeve që inflacioni të tejkalojë objektivin.

Rritja e çmimeve të energjisë, dobësia e jenit dhe presionet në tregun e punës kanë shtuar shqetësimet se inflacioni mund të mbetet i lartë për më gjatë. Banka ka rishikuar në rritje pritshmëritë për çmimet, duke përforcuar mundësinë e një tjetër ndërhyrjeje në politikën monetare para fundit të vitit.

Monedha japoneze u forcua pas vendimit, duke u vlerësuar me rreth 0.24%, në 157.34 jenë për dollar.

Gjithnjë e më shumë, investitorët po e shohin  jenin si alternativë mbrojtëse përballë pasigurisë në tregjet globale, të shkaktuar nga rënia e aksioneve të teknologjisë dhe shqetësimet për investimet e mëdha në Inteligjencën Artificiale.

Sipas Bloomberg-ut, tregjet po ndjekin me vëmendje perspektivën e rritjeve të ardhshme të normave, ndërsa analistët shohin mundësinë e një ndërhyrjeje të re që në dhjetor.

Disa ekonomistë parashikojnë që norma bazë të arrijë në 2% deri në mesin e vitit 2027, nëse presionet inflacioniste vijojnë.

Në të njëjtën kohë, Banka e Japonisë po përshpejton shitjen e fondeve të tregtuara në bursë (ETF) që ka grumbulluar gjatë viteve të politikës monetare jashtëzakonisht lehtësuese, një tjetër hap drejt normalizimit të kushteve financiare./Monitor

JavaScript is required for tabnav widget to work properly.