Një qytetar i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania për të denoncuar vjedhjen e motorit të tij në zonën e Kinostudios, në Tiranë.
Sipas tij, mjeti ishte parkuar poshtë pallatit ku banon. Qytetari tregon se e kishte lënë aty një ditë më parë, pasi kishte përfunduar punën rreth orës 17:30, ndërsa kur u kthye për ta marrë në orën 10:30 të mëngjesit, motori nuk ndodhej më në vendin ku e kishte parkuar.
Ai shprehet se në zonë nuk ka kamera sigurie që mund të ndihmojnë në identifikimin e personit që e ka marrë mjetin. Denoncuesi thotë gjithashtu se e ka raportuar rastin në polici, por deri në momentin e regjistrimit të videos nuk kishte marrë një zgjidhje.
Ajo që e rëndon edhe më shumë situatën për qytetarin është fakti se motorin e kishte blerë me këste dhe ende nuk i kishte përfunduar pagesat.
Përmes denoncimit, ai kërkon ndihmën e kujtdo që mund ta ketë parë motorin ose ka informacion për vendndodhjen e tij, duke ofruar edhe një shpërblim për personin që ndihmon në gjetjen e tij.
Kushdo që disponon informacion, mund t’i shkruajë redaksisë së JOQ Albania për t’ia përcjellë pronarit.