Monday / November 2 / 2026
Revista Monitor Logo
hamburger menu icon

mbyll

close icon
Ads
Bota

Christine Lagarde jep dorëheqjen nga drejtimi i Bankës Qendrore Europiane

Share Share Icon

Presidentja e Bankës Qendrore Europiane (BQE), Christine Lagarde, ka njoftuar dorëheqjen nga detyra dhe do të largohet më 7 shkurt 2027, rreth nëntë muaj përpara përfundimit të mandatit të saj tetëvjeçar. Vendimi i hap rrugën zgjedhjes së një drejtuesi të ri të institucionit që përcakton politikën monetare për 21 vendet e Eurozonës, në një periudhë presionesh inflacioniste dhe rritjeje të kostove të huamarrjes.

Sipas Reuters, dorëheqja u njoftua të enjten, më 29 tetor, duke i dhënë fund spekulimeve disamujore për largimin e parakohshëm të Lagarde, mandati i së cilës përfundonte në tetor 2027.

“Presidentja e Bankës Qendrore Europiane, Christine Lagarde, informoi sot Këshillin Drejtues dhe presidentin e Këshillit Europian, António Costa, se do të largohet nga detyra më 7 shkurt 2027”, thuhet në njoftimin zyrtar të BQE-së.

Largimi i saj u jep mundësi udhëheqësve aktualë të Bashkimit Europian të zgjedhin pasardhësin përpara zgjedhjeve presidenciale në Francë, të planifikuara për pranverën e vitit 2027. Ndër kandidatët kryesorë për drejtimin e institucionit përmenden ish-guvernatori i Bankës Qendrore të Holandës, Klaas Knot, dhe ish-guvernatori i Bankës së Spanjës, Pablo Hernández de Cos.

Lagarde drejton Bankën Qendrore Europiane që nga nëntori i vitit 2019. Përpara marrjes së kësaj detyre, ajo drejtoi Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe shërbeu si ministre e Financave e Francës.

Njoftimi i dorëheqjes vjen ndërsa BQE-ja ndodhet në një cikël rritjeje të normave të interesit, me synimin për të kufizuar përhapjen e goditjes së çmimeve të energjisë në inflacionin e përgjithshëm dhe në paga. Rritja e çmimeve të naftës, e lidhur me konfliktin me Iranin, ka shtuar presionet inflacioniste, ndërsa rritja e yield-eve të obligacioneve shtetërore, veçanërisht në Francë, ka rritur kostot e financimit për bizneset dhe familjet.

Në mbledhjen e së enjtes, BQE-ja pritej të mbante të pandryshuar normën e interesit për depozitat në 2,5%, ndërsa tregjet ndiqnin sinjalet për një rritje tjetër të mundshme gjatë muajve të ardhshëm. Prej disa muajsh, emri i Lagarde është përmendur edhe si një kandidate e mundshme për drejtimin e Forumit Ekonomik Botëror. Reuters raportoi më 15 tetor se institucioni mund të vendoste për emërimin e saj që në nëntor, duke cituar burime të njohura me diskutimet.

Pasardhësi i Lagarde do të emërohet nga Këshilli Europian, sipas procedurës së përcaktuar në traktatet e Bashkimit Europian. Presidenti i Këshillit Europian, António Costa, ka njoftuar nisjen e procesit të përzgjedhjes për të siguruar kalimin e drejtimit të bankës brenda afateve të përcaktuara.

Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Ekskluzive Monitor Top 1,000

Publikohen për herë të parë treguesit financiarë të 1000 kompanive më të mëdha në vend. Renditja e grupeve kryesore!

Eksploro Top List
Live Now

Lajme të Ngjashme

Rritja e industrisë në Eurozonë ngadalësohet në tetor, por mbetet e qëndrueshme

Aktiviteti në industrinë përpunuese të Eurozonës vijoi të rritet me ritme të qëndrueshme në tetor, megjithëse rritja u ngadalësua për shkak të dobë...

5 hours më parë 4 Min Lexim
Azi / Bota /

Kina injekton 81 miliardë dollarë në banka, ndryshon mekanizmin e politikës monetare

Banka Qendrore e Kinës injektoi të hënën 541 miliardë juanë (81.3 miliardë dollarë) në sistemin bankar, ndërsa ndryshoi mekanizmin kryesor të zbati...

5 hours më parë 2 Min Lexim
Ads
collaps icon

Rrisni limitin e artikujve në 400 në muaj FALAS! Regjistrohu Falas!

Rrisni limitin e artikujve në 400 në muaj FALAS!

Si përdorues i paregjistruar, mund të lexoni vetëm 200 artikuj në muaj. Mund ta rrisni këtë limit duke krijuar një llogari FALAS në faqen tonë.

Regjistrohu FALAS!