EKONOMI

Ish-kreu i Dhomës Amerikane të Tregtisë: Mbi 5 mld euro cash jashtë bankave, rekord historik në Shqipëri. Informaliteti dhe dyshimet për pastrim parash

14:38 - 29.10.26 GSH Gazetar
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga Enio Jaço

Këto javë, rrugët e Tiranës janë mbushur me njerëz të pakënaqur ose shumë të pakënaqur. Mund të mos jesh dakord me protestat, por pakënaqësia është kudo. Dhe pikërisht tani, qeveria vendos të rrisë taksat. Në kushte normale, do të ndodhte e kundërta.

Që të jemi të qartë: paketa ka edhe gjëra të mira. TVSH 6% për ushqimet bazë. Më pak tatim për pagat e mesme. Më pak burokraci për pasqyrat financiare. Këto duhen thënë.

Por fatura e madhe shkon te bizneset e ndershme, të mëdha dhe të vogla, që punojnë në ekonominë formale. Tatimi mbi fitimin bëhet 17%, më i larti në Ballkan. Tatimi mbi dividendin pothuajse dyfishohet. Rreth 17.500 biznese të vogla futen në TVSH.

Shoqatat e biznesit ankohen se nuk u pyetën. Kësaj radhe kanë të drejtë edhe për përmbajtjen.

Investitori i huaj sheh diçka tjetër: mungesën e qëndrueshmërisë. Para një viti: “Nuk do të rrisim taksat”. Pastaj Paqja Fiskale, me premtimin e parashikueshmërisë. Tani një rritje e papritur. Por, më shumë se normat, ai sheh një sistem që ndryshon çdo vjeshtë.

Por kjo është vetëm pjesa e dukshme.

Mbi 5 miliardë euro cash qarkullojnë jashtë bankave, niveli më i lartë ndonjëherë. Shqipëria njihet për pastrimin e parave, trafikun e drogës dhe një ekonomi informale ndër më të lartat në rajon.

Por kjo paketë nuk e shtrëngon këtë ekonomi. Shkon te biznesi që deklaron, me llogari bankare, kontabilist dhe faturë. Sepse aty paratë duken.

Çdo tatim shtesë mbi të ndershmin, pa prekur të padeklaruarin, i jep fitim atij që punon në të zezë. Prandaj bizneset e ndershme ngrenë zërin, ndërsa ajo e krimit hesht. Nuk ankohet për taksat. Ajo vijon të pastrohet.

Biznesi i ndershëm gjendet lehtë, sepse nuk fshihet. Por nuk është e drejtë të paguajë për ata që fshihen.


Shfaq Komentet (1)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

  1. Nuk e kuptoj si e ka matur te pamatshmen? Paraja cash eshte e pamatshme e pallogariteshme dhe nuk ka as etalon mates. Po pse duhet t’i referohemi ish-it dhe jo atij qe eshte? Sa eshte vlera e parase cash qe qarkullon ne Serbi, Greqi, Maqedoni, Mal te Zi? E ka matur ndonjehere dikush?

    Përgjigju ↓