Të paktën 40 persona kanë mbetur të plagosur nga një aksident i rëndë mes një autobusi dhe një makine, i ndodhur pasditen e sotme në Fogars de Montclús, pranë Barcelonës, në rajonin e Katalunjës në Spanjë.
Sipas mediave spanjolle, 20 prej të plagosurve ndodhen në gjendje të rëndë.
Pas përplasjes, autobusi doli nga rruga dhe u rrëzua përgjatë një skarpate për rreth 20 metra, duke shkaktuar një situatë të rëndë që kërkoi ndërhyrjen e shërbimeve të emergjencës.
Në vendngjarje mbërritën ekipet e shpëtimit, mes tyre 24 efektivë të zjarrfikësve të ‘Generalitat’-it, administrata e Katalunjës.
Personat me plagë të lehta janë evakuuar tashmë, ndërsa operacionet e ndihmës dhe të ndërhyrjes vijojnë në zonën e aksidentit.
Sipas gazetës spanjolle ‘La Vanguardia’, është ngritur edhe një komitet sigurie për të koordinuar operacionet e shpëtimit dhe ndërhyrjen e shërbimeve përkatëse.
Deri në raportimet e fundit, nuk janë bërë të ditura hollësi të tjera mbi shkaqet e aksidentit apo identitetin e të plagosurve.
© SYRI.net