
Edon Zhegrova po kthehet në një nga paradokset më të mëdha të Juventusit. Pavarësisht se po tregon se mund të ndryshojë rrjedhën e ndeshjeve, sulmuesi kosovar nuk ka regjistruar ende asnjë aktivizim si titullar këtë sezon, ndërsa nuk do të jetë i disponueshëm për ndeshjet evropiane.
Juventusi ka një problem që pak kush do ta kishte parashikuar në fillim të sezonit: një prej lojtarëve që po sjell më shumë energji në lojën e skuadrës është pikërisht ai që aktivizohet më pak. Bëhet fjalë për Edon Zhegrovën, të cilin trajneri Luciano Spalletti e ka përdorur deri më tani vetëm si zëvendësues.
Sa herë që kosovari ka hyrë në fushë, loja e bardhezinjve ka fituar më shumë ritëm dhe paparashikueshmëri. Në Reggio Emilia, për shembull, Zhegrova arriti të ndryshonte rrjedhën e takimit, përpara se Juventusi të pësonte humbjen në minutat e fundit.
Megjithatë, aventura e tij në Torino nuk ka qenë e lehtë. Sezonin e kaluar, sulmuesi nuk regjistroi asnjë gol apo asist, ndërsa problemet fizike ndikuan në vazhdimësinë e tij. Për këtë arsye, klubi tentoi ta shiste deri në ditët e fundit të merkatos, por ish-futbollisti i Lille mbeti pjesë e skuadrës.
Paradoksi bëhet edhe më i madh për faktin se Zhegrova nuk është përfshirë në listën e UEFA-s për Europa League. Pikërisht tani, kur Juventusi ka nevojë për më shumë kreativitet dhe alternativa në sulm, kosovari nuk mund të ndihmojë skuadrën në Evropë.
