Kryeministri Edi Rama ka publikuar në Facebook pamje nga takimi informues për Reformën Territoriale me përfaqësues të bashkive të Qarkut Gjirokastër.
Gjatë takimit u diskutua për një organizim më efikas të qeverisjes vendore, si dhe për forcimin e përfaqësimit të qyteteve në këshillat bashkiakë.
Rama theksoi nevojën për riorganizimin e njësive administrative dhe për një ndarje më funksionale të përgjegjësive në nivel vendor. Sipas tij, disa funksione nuk mund të përballohen në mënyrë efektive nga bashkitë e vogla, ndërsa edhe bashkitë e mëdha përballen me vështirësi në këtë drejtim.
Kryeministri bëri me dije se, në kuadër të ndryshimeve të propozuara, çdo qytet do të ketë drejtuesin e tij, i cili do të jetë edhe nënkryetar i bashkisë. Po ashtu, qytetet do të kenë përfaqësuesit e tyre në këshillin bashkiak, ndërsa përbërja e këshillit do të përcaktohet përmes kuotave.
Rama u shpreh gjithashtu se njësitë administrative aktualisht nuk po e përmbushin siç duhet funksionin e tyre dhe se nevojitet një organizim i ri për t’u dhënë atyre më shumë efektivitet.
Në takimin në Gjirokastër u diskutua edhe për propozimet për bashkimet Libohovë–Gjirokastër, Memaliaj–Tepelenë dhe Këlcyrë–Përmet. Sipas Ramës, këto ndryshime synojnë fuqizimin ekonomik dhe social të komuniteteve, racionalizimin e burimeve njerëzore në nivel vendor dhe përgatitjen për menaxhimin e fondeve që lidhen me anëtarësimin në Bashkimin Evropian.
