Goditja e shpërndarësve të drogës në Sarandë. “Boraqi” i shpëtoi policisë për vite të tëra. Kush janë të tjerët


I konsideruar si një nga shpërndarësit më të fuqishëm të kokainës në Sarandë, pas vite të tëra ndjekje, më në fund ka rënë në pranga 49-vjeçari Altin Arapi alias Altin Demiri, i njohur me pseudonimin “Boraqi”. Edhe pse në këtë këtë operacion nuk janë kapur bashkëpunëtorë direkt të tij, burime thonë se prej vitesh ai është skeduar së bashku me të paktën dy persona të tjerë, njeri prej të cilëve i arrestuar më parë.
Burime konfidenciale bëjnë me dije se policia prej vitesh e ka pasur nën mbikqyrje, por e ka pasur shumë të vështirë ta vendosë në pranga Arapin, pasi sipas të njëjtave burime, shpesh ka pasur dyshime se ai kishte informacion dhe përkrahje nga bashkëpunëtorë të ngushtë brenda strukturave policore dhe ishte një hap para çdo operacioni. Madje një operacion i dështuar ndaj tij konsiderohet ai i 20 janarit 2022, kur policia tentoi ta arrestonte me sasi droge, por nuk i gjeti asgjë dhe kreu një arrestim të sforcuar për kundërshtim të forcave të policisë pasi gjatë tentativës për t’a kontrolluar, bëri rezistencë duke thyer edhe celularin e tij.
Më pas emri tij është përfolur në ngjarjen e majit 2025, kur një e mitur 15-vjeçare, shkoi e intoksikuar me 5 gram kokainë në Spitalin e Sarandës. Një ndër personat e marrë në pyetje për këtë çështje ishte edhe Altin Arapi.
Të vetmen herë kur Altin Arapi është arrestuar nga policia nën posedim lëndësh narkotike, ka qenë rreth 8 vite më parë, kur së bashku me dy persona të tjerë nga Saranda, u kap në Tiranë me një sasi të vogël kokaine dhe qëndroi për disa muaj në burg.
Ndërkohë një tjetër ngjarje kur është përfolur emri i tij, ka ndodhur në janar të vitit 2021, kur policia kreu një shoqërim blic në Delvinë dhe mori në pyetje një shtetas, pasi kishte siguruar informacion se do të konfliktohej me Altin Arapin dhe për këtë mori masa parandaluese.
360grade.al


















